Lajme
Qysh ka me u dokë Prishtina në 10 vitet e ardhshme: Pse po dështon Plani?
Demokracia
12:23 | 24 Prill 2025

Share:

Ka dështuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës, në mungesë të kuorimit. VV dhe PDK nuk ishin në mbledhjen që në rend dite kishte Planin Zhvillimor Komunal 2025-2033. Çka ndodhi?

Kuvendi komunal i Prishtinës, kishte thirrë për sot mbledhje të jashtëzakonshme për Planin Zhvillimor Komunal 2025-2033. Por seanca ka dështuar në mungesë të asamblistëve të Vetëvendosjes dhe PDK-së. Ky plan, kundërshtohet nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, për faktin se thonë se është bërë në mënyrë jotransparente dhe se ai po e sheh dritën, krejt në fund të mandatit.

“Mungojnë asambleistët e VV-së dhe PDK-së. Nuk mund të procedojmë më tutje. E konstatoj të mbyllur mbledhjen e jashtëzakonshme”, tha kryesuesi i Kuvendit komunal të Prishtinës në mbledhjen që e mbylli pak minuta pasi filloi.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kritikoi asamblistët e Vetëvendosjes dhe PDK-së, për siç tha ai “bllokimin e projektit”.

Rama thotë se sot ishte planifikuar që ky Dokument – të publikohej, të diskutohej dhe të votohej.

“Ata që janë të votuar nga qytetarët e kryeqytetit, e bllokojnë këtë projekt që është i bërë me shumë ekipe profesionale. Tash kemi ftu seancën e radhës për debatin public. Sot ish dashtë me u votu nga asambleistët që ky document të jetë publik.Nuk është miratim por është për diskutim publik, kjo vazhdon të bllokohet qe një vit e gjysmë”, tha Rama për gazetarët.

Në pyetejen se a janë marrë parasysh mbi 30 komente të dërguara nga Ministritë përkatëse rreth këtij Dokumenti, Përparim Rama tha se ‘ministritë janë vonuar më qëllim bllokimin e projektit’.

“Ministritë janë vonu. Kjo ka qenë puro politike që vetëm të zhagitet kjo çështje. Pikat që janë përmend aty, janë pika kur ne e kishim hapë këtë diskutim public. Nuk janë cështje për bllokadë”, tha Rama.

Përplasja live Rama – Sejdiu

Aktivisti Dardan Sejdiu, që kundërshton ashpër këtë Plan, për dy arsye: e para – sepse ai është bërë në mënyrë jotransparente sipas tij dhe e dyta – sepse po bëhet pak muaj para zgjedhjeve komunale, pati një përplasje ‘live’ me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

“Ju keni thënë vetëm ‘lagje’. Me cilat lagje e keni diskutu këtë plan” – e pyeti Sejdiu.

“Me të gjitha lagjet” – ia ktheu Rama.

Por kur vazhdoi debati me pyetjet e Sejdiut që Rama të saktësonte lagjet me të cilat ka diskutuar këtë Plan, ai e quajti Sejdiun ‘dezinfomrues’.

Tha se ‘çifti i tij (Dardan Sejdiut) vetëm po dezinformon’.

Pse kundërshton Dardan Sejdiu?

Ashtu si një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, Dardan Sejdiu si pjesëtar i saj, kundërshton Planin sepse thotë se ‘është bërë nga një grup i njerëzve që nuk dihet kush janë”.

“Një dokument qe më shumë se tri vjet e gjysmë e kanë përgatit një grup i njerëzve që asnjë prej shoqërisë civile nuk po e dimë se kush janë ai grup i njerëzve. Kryetari i komunës, e ka themelu një grup punues, në fillim të mandatit ku kanë qenë krejt drejtorat.Nuk e di as kur janë taku, as tek janë taku, as sa herë janë taku as, edhe për ma shumë nuk e di që e ka majtë ndonjë diskutim publik me ndonjanen prej lagjeve të Prishtinës për me diskutu se qysh ka me u dokë ai plan”, thotë Sejdiu në një Video të publikuar para fillimit të seancës së jashtëzakonshme sot.

Dhe shton, se ky Plan do të duhej të hidhej në diskutim publik, e në votim në fillim të mandatit, e jo në fund të tij.

“Arsyeja pse po e bëj të madhe, e kam bë të madhe edhe në 2013, edhe në 2021 e po e bëj edhe tash, është se të tanë po e bëjnë këtë plan në fund të mandatit. Kjo duhet të bëhet në fillim të mandatit” – thotë Sejdiu.

Albulena Nrecaj, nga organizta ‘INPO”, thotë se nuk e kuptojnë se ku është ngutia dhe urgjenca që kjo seancë të thirret për një vendim të zakonshëm.

“Kuvendi foli. Pra seanca nuk u mbajt, si pergjigje e anetareve te Kuvendit nga radhet e LVV-se dhe PDK-se, qe vullnetin e tyre politik e deklaruan me mospjesemarrje.

Tash le te na tregoje Kryetari, Perparim Rama, pse u desht qe te thirret seance e jashtezakonshme per te miratuar nje vendim krejtesisht te zaknoshem dhe te thjeshte.

Cila eshte ngutia, cila eshte urgjenca?

Senacat e jashtezakonshme rendom thirren per ceshtje te cilat nuk kane mundur me u paraprare apo planifiku ne agjende qofte te Kryetarit, qofte te Kuvendit. Pra per situata te jashtezakonshme.

Sipas Ligjit, seancat e jashezaknoshme thirren nga Kryetari ose 1/3 e Kuvendit, tri dite para mbledhjes. Agjenda apo pikat e rendit te dites caktohen nga thirresi i mbledhjes nuk mund te ndryshohen, pra ne njefare forme imponohen!

Andaj pse ky imponim per PZhK-ne. Ku eshte halli?

Na trego kryetar – shkruan ajo.

“Unë jam Driton Tapallari” . “Unë jam Përparim Rama”

Një inxhinieri i ndërtimtarisë, i intereusar për kryeqytetin tonë, quhet Driton Tapallari.

Pyetjeve të tij, deri në momentin kur e pyeti se kush është ky njeri, kryetari i Prishtinës Përparim Rama iu përgjigj me shumë qetësi.

Driton Tapallari: Cilat statistika janë përdorë në këtë plan, draftin që unë e kam pasë, kanë qenë statistika të vitit 2011? Kërkohet një angazhim më I madh me dalë nëpër lagje me bisedu. Personalisht e kam pasë shumë problem me e gjetë draftin. Është dashtë me lutë dikë me ma dhanë draftin. Si dhe jeni në fund të mandatit…

Përparim Rama: Është e vërtetë që jemi në fund të mandatit.

Po na mbesin tre apo katër muaj..

Kur vazhduan pyetjet e z.Tapallari në drejtim të Përparim Ramës, këtij të fundit ‘iu sos durimi’ dhe kërkonte ta dinte se me kë po bisedonte.

“Kush je ti” – e pyet Rama.

“Jam Driton Tapallari, jam njohjës i çështjeve të planifikimit hapësinor, inxhinier i ndërtimtarisë” – i thotë ai.

“Edhe unë jam Përparim Rama, njohës i çështjeve urbane arkitektonike nëpër shumë vende të botës dhe jo vetëm në kryeqytet. Statistikat i kemi marrë tani edhe censusin e kemi marrë tani, në draftin e kaluar është parapa me u zvogëlu fshatrat pa qytetarë që jetojnë në fshatra. E kemi pa të nevojshme me e zhvillu turizmin rural. Në bazë të planeve rregullative që kemi prej vitit 2011 e më parë, unë e kam cekë gjatë gjithë kohës që kemi plane rregullative”, ia ktheu Rama.

Seanca e jashtëzakonshme për këtë Plan, sipas kryetarit të Prishtinës, do të thirret sërish javën tjetër.

Të ngjashme