Avokati Arianit Koci, i angazhuar nga familja e rreshterit Muhamed Lika, u ka bërë thirrje gazetarëve dhe qytetarëve që të përmbahen nga komentet lidhur me rastin e vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës në Kaçanik.
Koci tha të mërkurën se drejtësia nuk lejohet të ngatërrohet me hamendje.
Ai tha se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka asnjë cilësim zyrtar që e ndërlidh rastin e vrasjes së rreshterit Lika me terrorizmin.
Deklarata e avokatit Koci:
Në cilësinë e avokatit të familjes së policit të ndjerë, rreshterit Muhamet Lika, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve – përfshirë mediat – që të përmbahen nga deklarimet dhe komentet që nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare.
Drejtësia nuk lejohet të ngatërrohet me hamendje, as me interpretime personale.
As Policia, as Prokuroria nuk kanë konstatuar se kemi të bëjmë me ndonjë grup terrorist apo me ndonjë vepër me motive religjioze.
Deri më tani, nuk ka asnjë cilësim zyrtar të tillë.
Nëse gjatë hetimeve del ndonjë informatë e re që ndërlidhet me ndonjë grup të tillë, patjetër se opinioni publik do të informohet.
Sidoqoftë – një gjë është e qartë: kjo ka qenë një vrasje makabër. Kryesit dhe ata që e kanë planifikuar këtë krim do të përgjigjen para ligjit dhe do të dënohen ashtu siç e meritojnë.
Sulmi ndaj policit është sulm ndaj shtetit të Kosovës. Është sulm ndaj të gjithëve neve.