Baton Haxhiu
Heshtja e Albin Kurtit, urdhri i Nagip Krasniqit, tenderi për TÜV Hellas, importi nga NOA e Gent Sules dhe paratë e Martin Berishajt ndriçojnë një sistem që ka fikur çdo përgjegjësi.
E mbaj mend shumë qartë bisedën. Ishte para një emisioni. Një prej atyre mbrëmjeve ku tensioni rajonal vjen në studio bashkë me kravatat. Ishim në dhomën e përgatitjes me Vangjel Dulen. Ai nuk është nga ata që flasin kot. Dhe kur më pyeti, me një ton që nuk kishte më shaka, “Si ka mundësi që Mitsotakis e pranon Kurtin në çdo moment, ndërkohë që gjithë Europa i mbyll dyert?”, nuk munda të jap përgjigje.
I buzëqesha si dikush që s’e ka përgjigjen por nuk do ta pranojë. Mendova se ishte një manovër, një lojë e hollë për të bërë balans ndaj Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit, ndoshta një mënyrë për ta përdorur Greqinë si aleat taktik në luftën e gjatë për njohje. Por tani e di që nuk ishte as lojë, as taktikë, as diplomaci. Ishte energji.
Miqësia e papritur dhe e zjarrtë mes Albin Kurtit dhe kryeministrit grek nuk qëndron mbi interesa afatgjata të politikës rajonale. Ajo qëndron mbi tenderë. Dhe tenderët janë mbuluar me heshtje. Pasi më ranë në dorë disa dokumente të KEK-ut dhe u njoha me dëshminë e ish-drejtorit të prokurimit, Ymer Dragusha, fillova të kuptoj më shumë se ç’mund të mbulojë një përqafim i protokolluar.
Sipas dëshmisë, një kompani greke, e quajtur TÜV Hellas, e cila nuk ka as histori të mëparshme në ndërtim apo remont të termocentraleve, ishte futur në një tender miliona euro përmes një urdhri të drejtpërdrejtë nga drejtori Nagip Krasniqi, vetëm disa ditë pasi ishte kthyer nga një vizitë në Greqi. Kjo kompani nuk kishte as certifikata, as garanci bankare, as staf të kualifikuar. Por KEK-u kishte ndryshuar kriteret e tenderit për t’i hapur rrugën. Kjo nuk është më keqmenaxhim. Është kapje.
Por këtu nuk mbaron historia. Në anën tjetër të rrjetës së energjisë është një kompani që ka zaptuar importin. Quhet NOA Energy Trade. E regjistruar në Kosovë, me vetëm dy punonjës. Pa adresë funksionale. Pa faqe ku të shohësh kush janë, çfarë bëjnë, çfarë garantojnë. Dhe megjithatë, në vitin 2024, ajo ka kaluar përmes saj mbi 160 milionë euro energji të importuar. Mbi 90 për qind të gjithë importit të energjisë është bërë nga kjo kompani. Pa asnjë dokument të aksesueshëm publikisht mbi kontratat. Pa asnjë përgjigje institucionale për mënyrën se si u bë kjo monopolizim i padeklaruar.
Askush nuk e pyeti si mund të ndodhë që një kompani pa të kaluar, pa strukturë, pa staf, pa eksperiencë, të dominojë një treg kaq delikat. Askush nuk e vuri në dyshim që një qarkullim më i madh se buxheti i disa komunave të vendit kalon në duart e një strukture që nuk dihet as ku ndodhet. Në çdo shtet normal kjo do të ishte një alarm i kuq për korrupsion të nivelit të lartë. Në Kosovë është thjesht lajm që nuk bëhet temë.
Dhe kur mendon se kjo është pika më e ulët, shfaqet edhe Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Slloveni, i përfolur për transaksione të mëdha në para cash të tërhequra nga banka, për të cilat janë dhënë shpjegime që nuk shpjegojnë asgjë. Ai është përmendur në skema të mëhershme të furnizimit me energji, dhe ndonëse institucionet heshtin, gjurmët financiare janë aty. Banka, tërheqje në dorë, mungesë kontrolli.
Tre emra. Tre kompani. Tre rrugë që takohen në një pikë të vetme: energjia e Kosovës po bëhet një treg i mbyllur për publikun dhe i hapur për një rrjet ndikimi që vjen nga jashtë dhe ushqehet nga brenda. Dhe ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti që këto nuk janë sqaruar asnjherë nga asnjëra qeveri. Heshtja është bërë gjuhë zyrtare. Heshtja është më e organizuar se çdo reagim. Dhe kjo është prova më e qartë se diçka nuk është në rregull.
Kjo nuk është thjesht një krizë transparence. Kjo është një krizë e sovranitetit. Sepse nuk mund të kërkosh njohje nga një shtet që kontrollon sistemin tënd energjetik përmes kompanive të dyshimta. Dhe nuk mund të flasësh për integritet institucional kur tenderët jepen në mënyrë sekrete, kompanitë s’kanë identitet dhe miliona euro kalojnë pa asnjë sens përgjegjësie.
Në qendër të këtij rrjeti që e ka bërë energjinë mall të kontrolluar nga pak njerëz dhe shumë interesa, qëndrojnë tre figura të rëndësishme dhe një sistem që nuk pyet më për transparencë. I pari është Nagip Krasniqi, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, aktualisht me aktakuzë për shkelje të prokurimit publik, personi që sipas dëshmisë së drejtorit të prokurimit në KEK, ka urdhëruar përfshirjen e kompanisë greke TÜV Hellas në tenderë pas një vizite në Greqi. Një emër që nuk mund të shihet i shkëputur nga afërsia politike që e ka mbrojtur deri në fund.
I dyti është Gentian Sula, përfaqësues i kompanisë NOA Energy Trade, një kompani që qarkulloi mbi 160 milionë euro brenda një viti pa adresë funksionale, pa staf real dhe pa histori energjetike. Ai është simboli i njeriut që del nga hija për të kontrolluar tregun dhe futet në një sistem pa u pyetur kush është dhe çfarë përfaqëson.
Dhe i treti është Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Slloveni, një figurë që mbetet në qendër të polemikave për shkak të tërheqjeve të mëdha të parave cash nga banka, të cilat janë raportuar por kurrë nuk janë shpjeguar bindshëm. Ai ka qenë i përfshirë në skema që lidhen me ndërmjetësimin e shitjes së energjisë dhe për një kohë ka pasur ndikim të konsiderueshëm në formësimin e tregut.
Këta janë tre emra me ndikim të drejtpërdrejtë në energji. Të tre kanë një të kaluar problematike. Të tre janë ende të pahetuar plotësisht. Dhe të tre janë dëshmi se si një sektor strategjik i vendit është deleguar në duart e njerëzve që nuk kanë as përfaqësim publik, as përgjegjësi institucionale dhe as ndjeshmëri për interesin shtetëror.
Nuk është më pyetje nëse Kurti dhe Mitsotakis janë miq. Pyetja është: sa ka kushtuar kjo miqësi? Dhe, kush po e paguan në fund?