Kuriozitete
Ndikimi i pozitës së fjetjes në jetëgjatësi
Demokracia
09:12 | 23 Prill 2025

Share:

Shumica e njerëzve kanë një pozicion të preferuar fjetjeje dhe rrallëherë e mendojnë më thellë. Por mënyra se si dikush fle mund të ketë ndikim jo vetëm në cilësinë e gjumit, por edhe në shëndetin tuaj afatgjatë. Në rastin më të keq, pozita se si flini mund të jetë duke dëmtuar shëndetin pa e kuptuar ju.

Pavarësisht lidhjes së mundshme me sëmundje si demenca apo problemet e zemrës, hulumtimet mbi pozitën e të fjeturit zakonisht fokusohen vetëm te dhimbjet fizike, si ajo e shpinës, por kjo është vetëm maja e ajsbergut, ka raportuar The Telegraph.

Sipas doktoreshës Kat Lederle, autore e librit “Sleep Sense”, veprimet e bëra gjatë ditës ndikojnë ndjeshëm në pozicionin dhe shqetësimet që dikush ndien gjatë natës.

“Ajo që bëjmë gjatë ditës është zakonisht shkaku i dhimbjeve që ndjejmë natën në pozicione të caktuara fjetjeje. Një nga faktorët më të zakonshëm është qëndrimi ulur për shumë gjatë, prandaj është e rëndësishme të lëvizim rregullisht gjatë ditës”, ka thënë Lederle.

Fjetja në krah

Ky është pozicioni më i zakonshëm, por duhet pasur kujdes se nëse flini në anën e majtë apo të djathtë, mund të bëjë diferencën, sidomos për personat me probleme të caktuara shëndetësore.

-Gratë shtatzëna dhe ata me refluks acidik këshillohen të flenë në anën e majtë, pasi kjo ndihmon stomakun të qëndrojë më poshtë se ezofagu dhe ndihmon tretjen.

-Personat me probleme zemre duhet të flenë në anën e djathtë, për të shmangur presionin mbi zemrën. Studimet kanë treguar se pozicioni në anën e majtë mund të ndikojë në aktivitetin e zemrës.

Lederle ka theksuar se ky pozicion mund të ndikojë edhe në shëndetin e trurit.

“Sistemi glinfatik i trurit, i cili largon toksinat gjatë gjumit, duket se funksionon më mirë kur flini në anën e djathtë. Kjo është veçanërisht me rëndësi për ata që janë në rrezik për demencë ose Alzheimer”, ka thënë doktoresha.

Megjithatë, ka edhe rreziqe të tjera:

-Gratë me forma të theksuara trupore mund të shtypin më shumë dyshekët e butë, duke krijuar një formë “bananeje” që dëmton shtyllën kurrizore.

-Burrat shpesh përjetojnë dhimbje në shpatulla me kalimin e moshës për shkak të dobësimit të muskujve.

-Gjithashtu, gjumi në krah mund të kontribuojë në rrudha të fytyrës dhe te gratë varjen e gjoksit, për shkak të kontaktit me jastëkët dhe gravitetit.

Këshillohet të përdoret jastëk i trashë për të mbajtur kokën në vijë me shtyllën kurrizore dhe të vendoset një jastëk mes gjunjëve për të ruajtur ekuilibrin e ijëve.

Fjetja në shpinë

Një nga rreziqet kryesore të këtij pozicioni është apnea e gjumit, gjendje që shkakton ngushtim të rrugëve të frymëmarrjes dhe gërhitje, shpesh e lidhur me mbipeshën.

“Apnea e gjumit ndikon në cilësinë e gjumit dhe çon në lodhje gjatë ditës, rrezik për diabet, sëmundje të zemrës dhe shumë të tjera”, ka thënë Lederle.

Por për personat me dhimbje në shpinë apo qafë, gjumi në shpinë mund të jetë pozicioni më i mirë.

“Mënyra më optimale për drejtimin e shtyllës është të flini në shpinë me një jastëk nën gjunjë. Ky pozicion gjithashtu ndihmon në reduktimin e rrudhave”, thotë ekspertja e gjumit, Sammy Margo.

Fjetja në bark

Edhe pse ky pozicion mund të ndihmojë në reduktimin e gërhitjes, është më i rrezikshmi për qafën dhe shtyllën kurrizore.

“Të kthesh kokën anash vë presion të madh në qafë, ndërsa shtylla shpesh është e harkuar në mënyrë jonatyrale. Gjithashtu, presioni direkt mbi fytyrën mund të kontribuojë në rrudha me kalimin e kohës”, ka paralajmëruar Margo.

Këshillohet të flini me një jastëk të hollë ose pa jastëk dhe vendosni një jastëk nën legen për të reduktuar harkimin e shpinës.

Si të ndryshohet pozita e gjumit

Nëse doni të ndryshoni mënyrën se si flini, bëjeni gradualisht. Për shembull, nëse dëshironi të kaloni nga shpina në krah, filloni duke fjetur pesë minuta në krah çdo natë dhe rriteni kohën ngadalë derisa trupi të mësohet.

Si të flini varësisht nga gjendja shëndetësore

  • Dhimbje shpatullash: Flini në shpinë, ose në anën që nuk dhemb, me një jastëk të madh në nivel të gjoksit ku mund të mbështesni krahun.
  • Dhimbje shpine: Fllini në shpinë dhe vendosni një jastëk nën gjunjë.
  • Dhimbje qafe: Mbani qafën në pozicion neutral, shmangni gjumin në bark.
  • Apnea e gjumit/Gërhitje: Flini në krah ose bark për të shmangur mbylljen e rrugëve të frymëmarrjes.
  • Refluks acidik: Ngrini pjesën e sipërme të trupit me jastëkë ose ngrini krevatin.
  • Inflamim të thembrave (Plantar fasciitis): Mbani këmbët në një pozicion të relaksuar për të zvogëluar inflamacionin në thembër.

Të ngjashme
Kuriozitete • 21 Prill 2025