Mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i lidhur me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Bazuar në këtë vetëm edhe pesë ditë i kanë mbetur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i kërkuar partive politike të propozojnë kandidatët e tyre për anëtar të KQZ-së.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë tregon se shefja e shtetit është e obliguar që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend të ua shtrojë këtë kërkesë grupeve parlamentare që janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës.
Në nenin 61 të këtij ligji, ku flitet për mandatin dhe emërimin e anëtarëve të KQZ-së, jepen detaje për këtë çështje.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 të këtij neni.
Më tej, në këtë nen tregohet se brenda çfarë periudhe kohore partitë politike duhet t`i përgjigjen presidentes Osmani.
“Grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej shtatë (7) ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve”, thuhet në këtë paragraf.
Gazeta Nacionale i ka shkruar Presidencës për të mësuar nëse presidentja Osmani i ka kërkuar propozimet nga partitë politike, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.
Fillimi i mandatit sipas këtij paragrafi, nënkupton përfundimin e mandatit paraprak.
KQZ-ja ka 11 anëtarë. Aktualisht LV-ja përfaqësohet nga dy anëtarë(Sami Kurteshi, Alban Krasniqi). Edhe PDK-ja në këtë mandat përfaqësohet me anëtarë (Arianit Elshani dhe Ilir Gashi). Nga një anëtar kanë LDK-ja(Sami Hamiti) dhe AAK-j(Ihraim Selmanaj).
Ndërsa pesë përfaqësuesit tjerë iu takojnë partive nga komunitet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit e ka certifikuar më 27 mars.
Në bazë të rezultatit, LVV-ja ka fituar 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20, kurse koalicioni AAK-Nisma 8 deputetë.
Sipas këtij rezultati, përfaqësimi i partive politike në KQZ nuk pritet të ndryshojë.
VV-ja si parti fituese e zgjedhje të 9 shkurtit sërish pritët të përfaqësohet në KQZ me 2 anëtarë. Të njëjtin numër të anëtare pritet ta ketë edhe PDK-ja si parti e dytë.
Kurse, LDK-ja dhe AAK-ja pritet ta kenë nga një përfaqësues të tyre në KQZ.
Më 15 prill, sipas propozimit të presidentes Vjosa Osmani, ka filluar seanca konstituive e legjislaturës së nëntë.
Ndonëse deri me tani janë bërë disa përpjekje, kjo seancë nuk ka përfunduar ende. Propozimi i VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, dy herë nuk i ka marrë votat e mjaftueshme.