Pas vendimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për rreth 16 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, po paralajmërohet edhe ngritja e çmimit të produkteve ushqimore. Por jo vetëm.
Pas këtij vendimi të ZRRE-së, po paralajmërohet edhe ngritja e çmimit të kafes nëpër kafiteri.
Naim Llapashtica, menaxher në një kafiteri ka thënë se nga 1 maji, çmimi i kafesë pritet të rritet prej 1 euro në 1euro e 50 cent.
“Nuk është hera e parë që po shtrenjtohet rryma me këtë qeveri edhe qetash bajagi është një tarifë kogja e nalt. Tek ne bizneset ka me ndiku ma shume ka mundësi që disa edhe do të shuhen se nuk munden me përballu. Rritja e çmimit të energjisë sigurisht që do të reflektoj edhe në rritjen e çmimeve të mënyve tona. Psh, kafeja nga 1euro tek ne do të shtrenjtohet në 1.50 cent”., tha për rtv21 Naim Llapashtica, menaxher i një kafiterie.
Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike është duke u kundërshtuar në masë të madhe tash e pothuajse tre muaj nga qytetarët, bizneset, organizata joqeveritare si dhe nga vet presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Madje në shenjë pakënaqësie u organizuan edhe tri protesta, të cilat po vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër.
Kërkesa për shtrenjtimin e energjisë elektrike fillimisht kishte nisur nga muaji shkurt, prej kur kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me rrymë KOST, KEDS dhe KESCO dërguan në Zyrën e Rregullatorit për Energji një kërkesë për ndryshim të tarifave. Kjo gjë nisi të bëhej edhe më serioze kur kjo e fundit vlerësoi këtë kërkesë dhe tha se parashikon një rritje mesatare të tarifave për rreth 16%.