Drejtuesit e industrisë raportojnë ndryshimin e qasjes pasi Pekini mban peshën kryesore të tarifave të Trump.
Fondet e mbështetura nga shteti kinez po ndërpresin investimet e reja në kapitalin privat amerikan, në sulmin e fundit të luftës tregtare ndaj Presidentit amerikan Donald Trump.
Të paktën kështu rezulton sipas disa njerëzve të njohur me situatën, të cilët kanë folur për Financial Times.
Fondet e mbështetura nga shteti janë tërhequr nga investimi në fondet e firmave private të kapitalit me seli në SHBA javët e fundit, sipas shtatë drejtuesve të kapitalit privat me njohuri për këtë çështje.
Lëvizjet sakaq, vijnë si përgjigje ndaj presionit nga qeveria kineze.
Disa nga fondet kineze po kërkojnë gjithashtu të përjashtohen nga investimet e kapitalit privat në kompanitë amerikane, edhe nëse këto investime bëhen nga grupe blerjeje me bazë diku tjetër, sipas disa nga drejtuesve.
Ndryshimi në qasjen ndaj SHBA-ve vjen pasi Kina ka mbajtur barrën e tarifave amerikane të shpallura në tre javët e fundit që kërcënojnë të kufizojnë ndjeshëm tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Trump ka vendosur tarifa të reja deri në 145 për qind ndaj eksporteve kineze dhe Pekini është kundërpërgjigjur me tarifa 125 për qind.
Drejtues të shumtë kanë thënë se investitorët kinezë kanë ndryshuar qasjen e tyre ndaj kapitalit privat amerikan që nga fillimi i luftës tregtare.
Ata nuk do të bëjnë më angazhime për fonde të reja ndaj firmave amerikane, kanë shtuar ata.
Sipas njërit prej burimeve të Financial Times, disa po tërhiqen nga alokimet që kishin planifikuar të bënin, në rastet kur nuk kishin bërë ende një zotim përfundimtar.
China Investment Corporation është ndër fondet e mbështetura nga shteti që po tërhiqet, sipas dy personave të njohur me detajet.
Sipas tyre, fondet e tjera kineze gjithashtu ishin tërhequr.
Në dekadat e fundit, fondet sovrane të pasurisë kineze kanë hedhur miliarda dollarë në shumë nga grupet më të mëdha të kapitalit privat amerikan, duke përfshirë Blackstone, TPG dhe Carlyle Group.