Problemi i regjistrimit të kosovarëve si shtetas të Serbisë në dokumentet zyrtare të disa vendeve, veçanërisht në Gjermani, po vazhdon të jetë shqetësim.
Sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, i cili foli në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, kjo çështje nuk ka të bëjë me fajin e qytetarëve, por me mungesën e koordinimit institucional dhe me historinë e ndërlikuar të shtetësisë së Kosovës.
“Kur regjistrohesh në një shtet si Holanda apo Finlanda, emri yt nuk regjistrohet vetëm aty, por ai shkon në shumë dosje të tjera dhe gjendja jote, në këtë rast prejardhja e shtetit, është e regjistruar gjithashtu”, ka thënë Arifi.
Sipas tij, shumë kosovarë që kanë emigruar në vitet ’90 fillimisht janë regjistruar si shtetas të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pastaj si qytetarë të Jugosllavisë, e më pas të Serbisë, si pasojë e ndryshimeve të statusit shtetëror.
Këto të dhëna janë ruajtur në sistemet ndërkombëtare dhe shpesh përditësohen pa ndërhyrje të qytetarëve.
“Kjo nuk është vetëm çështje që ndodh në Gjermani, por edhe në shumë vende të tjera. Qytetari nuk ka faj”, u shpreh tutje Arifi, transmeton Klankosova.tv.
Ndiqni deklaratën e plotë, në videon e mëposhtme: