Dy zyrtarë policor janë ndaluar nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Sipas Nikçit, të dyshuarit janë arrestuar gjatë ditës së diel dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar dy zyrtarë policorë nën dyshimin për veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’. Prokurori i rastit ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh,” ka deklaruar Nikçi për Telegrafin.
Ende nuk janë bërë të ditura detaje të tjera lidhur me rastin, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.