Pas një beteje të gjatë ligjore, një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të marrë pensionet e dyfishta. Kjo është hera e parë që një e mbijetuar arrin të gëzojë dy pensione – atë si viktimë e dhunës seksuale, si dhe pensionin e moshës. Realizimi i pensionit të dyfishtë erdhi pas vendimeve të Gjykatës Themelore e më pas të Apelit. Ky nuk është rasti i vetëm që përmes institucioneve të drejtësisë kërkohen të drejta. KosovaPress sjell rrëfimin e një gruaje tjetër, e cila tregon se para një viti ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore, në mënyrë që të arrijë të marrë dy pensionet.
Dy vjet më parë, ajo ishte dashur të zgjidhte mes dy pensioneve. 67‑vjeçarja tregon se për këtë po kërkon drejtësi, edhe pse ky proces po e rëndon emocionalisht, raporton KosovaPress.
Që nga dita kur kuptoi se për herë të parë do të realizohej pensioni i dyfishtë, gruaja që u dhunua seksualisht nga serbët gjatë luftës në Kosovë lutet që edhe ajo një ditë të gëzojë këtë të drejtë.
“Ne jemi kënaqur shumë, jemi ndjerë të gëzueshme (për pensionet e dyfishta), sepse kur kemi aplikuar nuk na është aprovuar ky pension. Tash jam në gjyq, i kam dërguar dokumentet dhe kur të na kthehen, unë po ndjehem e gëzuar…,” shton ajo, shkruan KosovaPress.
Para pak ditësh, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka njoftuar se ka filluar realizimi i pensioneve të dyfishta për një të mbijetuar të dhunës seksuale.
Fatmire Haliti nga kjo organizatë thotë se ky rast është përfaqësuar në të gjitha instancat gjyqësore.
Mes tjerash, Haliti thotë se ky është rrugëtim i gjatë dhe plot sfida për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
Ajo thekson se janë edhe mbi 10 padi të deponuara në Gjykatën Themelore dhe janë në pritje që të merret vendimi, raporton KosovaPress.
Edhe pse Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta përcakton se përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë, që është i rregulluar me Ligjin për skemat pensionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë detyruar të heqin dorë nga pensioni i moshës apo ai i viktimës, sepse shteti nuk i ka lejuar të marrin dy pensionet./ Sh.Pajaziti