Gjykimi ndaj të pandehurve në fjalë, do të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës.
Gjykata Themelore Prishtinë, të premten, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për procedim të gjykimit në mungesë të pandehurve në rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimin që të ketë procedim të gjykimit në mungesë të pandehurve të akuzuar për kryerjen e veprës penale terroriste dhe veprën penale Vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Kryetari i trupit gjykues, ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”.
Gjykimi ndaj të pandehurve në fjalë, do të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës.
Ndërkohë të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj 42 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjë, të cilët janë në arrati – përfshirë edhe Milan Radojiçiçin, i cili e ka pranuar publikisht se e ka udhëhequr këtë sulm.