Hamas ka refuzuar zyrtarisht propozimin më të fundit të Izraelit për një armëpushim 45-ditor në këmbim të lirimit të 10 pengjeve, duke deklaruar se është i gatshëm të negociojë menjëherë një marrëveshje të plotë që do të çonte në lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe përfundimin e luftës, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Në një deklaratë video, shefi negociator i Hamasit, Khalil al-Hayya, tha grupi nuk do të pranojë një marrëveshje të pjesshme që i shërbejnë agjendës politike të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, “Netanyahu dhe qeveria e tij përdorin marrëveshjet e pjesshme si mbulesë për agjendën e tyre politike, e cila bazohet në vazhdimin e luftës së zhdukjes dhe urisë, edhe nëse çmimi është sakrifikimi i të gjithë pengjeve.”
Al-Hayya shtoi se grupi është “gati të negociojë menjëherë një marrëveshje për shkëmbimin e të gjithë pengjeve me një numër të rënë dakord të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite” dhe për të përfunduar luftën.
Zyrtarët e Hamasit kishin sinjalizuar më herët këtë javë se nuk do ta pranonin ofertën aktuale izraelite. Megjithatë, palët janë ende larg çdo marrëveshjeje që do të mund të sillte fundin e konfliktit.
Izraeli ka deklaruar si objektiv shkatërrimin e plotë dhe çarmatosjen e Hamasit. Ndërkohë, situata humanitare në Rripin e Gazës është përkeqësuar ndjeshëm, me qindra civilë që vdesin çdo javë nga bombardimet izraelite dhe pa asnjë ndihmë humanitare që lejohet të hyjë në territor.
Sipas agjencisë së mbrojtjes civile të drejtuar nga Hamasi në Gaza, sulmet ajrore të fundit izraelite kanë lënë të paktën 37 të vdekur, shumica prej tyre civilë të zhvendosur që ndodheshin në kampe me tenda. /A2