Presidenti serb theksoi se “deri në këtë moment” nuk e ka ndryshuar vendimin për udhëtimin e tij, duke shtuar “do të shohim si do të rrjedhin gjërat”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mërkurën, ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim për të udhëtuar në Rusi, për të marrë pjesë në festën ruse të “Ditës së Fitores” në Luftën e Dytë Botërore, më 9 maj në Moskë.
Vuçiç konfirmoi se do të jetë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni.
Presidenti serb theksoi se “deri në këtë moment” nuk e ka ndryshuar vendimin për udhëtimin e tij, duke shtuar “do të shohim si do të rrjedhin gjërat”.
“Nuk e di çfarë lloj sanksionesh mund të vendosen, a do të mund ta përballojë ushtria këtë presion apo jo”, u shpreh ai, duke folur për masat e mundshme ndëshkuese nga Perëndimi për shkak të pjesëmarrjes në paradën në Moskë.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores”.
“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat [i BE-së] të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, tha Kallas të hënën, duke iu referuar kryesisht gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë t’i bashkohen bllokut.