Mahir Tutuli- kryetar i Gjykatës Komerciale i ka quajtur të pakuptimta disa kërkesa të gazetarëve, për çka, sipas tij kërkojnë llogari për mënyrën e vendosjes dhe vendimmarrjes së gjyqtarëve.
Këtë deklarim ai e bëri në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku po raportohet për tremujorin e parë të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Dhe vimë në situata a po kërkojnë informacione dhe prova në shkresa të lëndës të cilat përmbajnë sekrete afariste, të dhëna financiare që nuk lejohen me iu shpalosë palëve të treta, nuk janë palë në proces”, u shpreh ai.
Sipas tij, ata vinë në një situatë ku nëse nuk i dorëzojnë këto të dhëna, gazetarët thirren në faktin se Gjykata nuk është transparente.
Paraprakisht, Tutuli tha se kjo Gjykatë në tremujorin e parë të këtij viti, ka zgjidhur 1 mijë e 468 lëndë dhe në punë ka edhe 9 mijë e 427 lëndë. Norma e spastrimit, sipas Tututlit, është 99. 73%.
Ai theksoi se problemi mbetet numri i gjyqtarëve në Gjykatën Komerciale, pasi dy gjyqtarë kanë shkuar. Sipas tij, duhet të hapet konkurs që të plotësohen këto dy vende, pasi aktualisht janë 16 gjyqtarë në shkallë të parë dhe se vetë Ligji për Gjykatën Komerciale parasheh të paktën 20 gjyqtarë.
Tutuli përmendi një problematikë, që sipas tij, pranojnë lëndë që gjyqtarët i kanë lënë për 10 vite në sirtarë dhe pas 10 vitesh e kanë shpallë gjykatën jokompetente.
“Andaj, është mirë gjyqtarët me i shiku lëndët nëpër sirtarë”, u shpreh Tutuli.
Për këtë, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se pas themelimit të Gjykatës Komerciale thirrja ka qenë e qartë që gjyqtarët t’i dërgojnë lëndët që janë në kompetencë të Komerciales.
Sa i përket monitorimit të planit për qasje në Drejtësi, ai tha se Gjykata ia ka dorëzuar komisionit të monitorimit raportin e detajuar.
Lidhur me zbatimin e Rregullores për menaxhimin e stafit, tha se zbatohet në përputhshmëri, duke shtuar se edhe SMIL është duke u zbatuar në vazhdimësi.
“Kemi ankesa shumë të mëdha prej palëve, dhe me të drejtë kjo sepse gjyqtarët në Gjykatën Komerciale janë duke u marrë më lëndë të vitit 2018-19, disa kanë arritë më 2020. Kërkesat e palëve janë pse nuk po caktohet lënda e vitit 2020”, u shpreh ai.
Tutje, Tutuli tregoi që në këtë periudhë janë publikuar 1 mijë e 357 vendime gjyqësore në portalin gjyqësor. Tha se kanë publikuar edhe seancat në ueb-portal, por nuk është bërë lidhja me SMIL.
Ky raport u miratua nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.