Lajme
Serbisë do t’i bllokohet procesi anëtarësimit në BE nëse Vuçiq merr pjesë në paradën e organizuar nga Putini
Demokracia
21:23 | 15 Prill 2025

Share:

Serbia mund të përballet me bllokim në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, merr pjesë në paradën e Ditës së Fitores që do të zhvillohet në Moskë më 9 maj.

Kjo paradë, që shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, është kthyer vitet e fundit në një shfaqje të fuqisë ushtarake ruse dhe mbështetjes për politikën e Kremlinit, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar se një vizitë e tillë nga ana e një vendi kandidat për anëtarësim në BE do të përbënte një shkelje serioze të parimeve dhe standardeve të Bashkimit Evropian, shkruan thetelegraph.

Ata e shohin pjesëmarrjen e Vuçiqit në këtë aktivitet si një mesazh politik që vë në pikëpyetje përkushtimin e Serbisë ndaj politikës së jashtme të përbashkët evropiane, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

“Disa vendime kanë kosto”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Estonisë, Jonatan Vseviov, duke iu referuar vendimit të mundshëm të presidenti serb për të marrë pjesë në paradë.

“Pasoja është që ata nuk do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet se një veprim i tillë mund të ndikojë seriozisht në përparimin e Serbisë drejt integrimit evropian.

Kjo situatë thekson tensionin gjithnjë e më të madh mes përpjekjeve të Serbisë për të ruajtur marrëdhënie të mira me Rusinë dhe synimeve të saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, i cili kërkon një qëndrim të qartë dhe të unifikuar ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Ndryshe, kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas u kishte bërë thirrje liderëve evropianë të hënën të tregojnë solidaritet me Ukrainën duke refuzuar të shkojnë në kryeqytetin rus, Moskë.

Të ngjashme