Arte
“Kangë Popullore Erotike” – intervistë me autoren e librit që mblodhi lirikën erotike tradicionale shqiptare
Demokracia
20:01 | 30 Qershor 2021

Share:

Ribotimi i dytë i “Kangë Popullore Erotike” pas një periudhe relativisht të shkurtër, është vetëm një mënyrë tjetër për të konfirmuar faktin që ky libër është një perlë e rrallë dhe e shumëpritur në disa rrafshe.

Së pari mbledhja dhe në një mënyrë arkivimi i traditës shqiptare popullore të këngëve erotike, përpos kënaqësisë së pastër që na jep është një material jashtëzakonisht i vlefshëm për trashigimisë tonë kulturore.

Fakti që për ekzistencën e këtyre këngëve një shumicë e njerëzve nuk ishin as në dijeni, duke dhënë një iluzion se populli ynë i ka kënduar vetëm luftërave e tragjedive, e bën këtë libër një rizbulim të të vërtetave tona.

Koncepti i nderit sipas kanunit ka mbizotëruar në paramendimin tonë për këto kohëra të largëta, duke i bërë njerzit e kësaj kohe të duken sikur mekanizma të aftë vetëm për luftëra, duke e humbur kështu njerëzoren tyre, ku kënaqësia fizike është një prej instikteve me të cilat lindim.

Në krahasim me këngët popullore ku jemi mësuar të dëgjojmë për nderin si virtyti më i lartë i një personi, që kur ndërlidhet me besnikërin e krijon dualitetin e shenjtë të idealit shqiptar; këngët popullore erotike nxisin dashurinë e kënaqësinë fizike, duke injoruar të gjitha konstruktet morale që e pengojnë atë. Këto këngë, që kanë një lloj pastërtie edhe të përshkrimet më eksplicite, të kujtojnë periudhën para se feja të cilësonte seksin si mëkat, e puritanizmin si formë absolute, prandaj përpos  rëndësisë kulturore, leximi i tyre është një rilidhje me memorien tonë kolektive.

Vlora Nikçi, autore e këtij libri, na tregon për Demokracia.com, më shumë për librin dhe procesin e realizimit të tij.

Demokracia.com: Si ka filluar ideja për mbledhjen e Kangëve Popullore Erotike?

Vlora Nikçi: Mua si aktore më ka munguar erotike shqiptare. Diçka e jona,  e imja, sepse duke e njohur natyrën e popullit tim dhe shprehjen e emocionit të dashurisë ndër nesh, e dija se do të ketë diçka shumë unike diku thellë.

Fillova të bëj hulumtime  dhe e pashë se këngët erotike mungojnë në kulturën tonë. Gjeta shumë këngë dashurie, të cilat edhe çojnë kah erotika, por jo krejtësisht erotike. Nuk e kuptoja se pse nuk ka apo pse nuk janë publikuar këngë të këtilla. Pas shumë kërkimeve, takimeve, pyetjeve dhe përgjigjeve, e kuptova se kishte qenë njëfarë turpi, që të botoheshin këso këngësh dhe si pasojë e kësaj, shumë njerëz kanë ngurruar. U preka shumë nga kjo e vërtetë. Më vinte shumë keq që krijime kaq të bukura të artit popullor, këto emocione kaq të sinqerta dhe kaq të thella njerëzore, janë trajtuar në atë mënyrë. Fillova edhe vetë të ndihem fajtore për këtë trajtim të tyre, të ndihem me faj edhe para gjyshërve të mi dhe dashurive të tyre, që u kishin dhënë jetë këtyre këngëve.

Demokracia.com: Çka të ka inspiruar në vendimin për t’i botuar?

Vlora Nikçi: Meqë unë gjeta atë që kërkoja, pra të vërtetën e erotikës si rezultat i dashurisë te populli im, patjeter që doja ta ndaja me të tjerët, por e çuditshmja ishte që edhe shumë të tjerë kishin qenë në të njejtin kërkim. Prandaj trashegimia kulturore është e veçant sepse përmes saj ne arrijmë të njohim më shumë veten  dhe në këtë botë atë kërkon njeriu gjatë rrugëtimit të tij jetësor.

Demokracia.com: Si ka shkuar procesi i mbledhjes së këngëve

Vlora Nikçi: Procesi i mbledhjes është një pune e madhe dhe shume sfiduese qe te realizohet nga individ, prandaj këto punë zakonisht bëhen nga instiute ose grupe të mëdha punuese.Kjo ndoshta është arsyeja se pse mua më ka marr shumë kohe ky proces- mbledhja e tyre, pra gati 10 vite.

U jam falenderuese familjes time, të cilët këmbë e kokë i kam involvuar në këtë projekt, përndryshe nuk i kisha dal udhëtimeve të gjata ndër fshatrat më të thella të Malësisë së Gjergj Fishtes. Por gjithë kjo vështirësi ishte e lidhur ngusht me plot kënaqësi dhe befasi të veçanta.

Demokracia.com: A ke bashkëpunuar me dikënd gjatë këtij procesi?

Vlora Nikçi: Gjatë këtij rrugëtimi kam pasur fatin të njoh studiues të veçant të kësaj fushe, pra fushës së Folklorit. Si Dr. Sadri Fetiu i cili para pak kohesh na la. Humbja e tij është një humbje e madhe per vendin dhe kombin tonë. Nje studiues i tillë do t’i mungojë kësaj shoqërije.

Po ashtu kam punuar ngusht edhe me Dr. Rrustem Berishën, i cili ndër të parët e ka filluar mbledhjen e erotikes tonë, por jo gjithcka ju ka botuar, për shkak cenzurës së kohës. Nuk mundem mos t’i përmend edhe kritikat e mira e shumë të nevojshme të Akademikut Rexhep Qosja, pa te cilat nuk do te ishte libri i kompletuar. Pra ka qenë një bashkpunim i madh mes nesh për orë të tëra deri në përfundim të procesit.

Demokracia.com: Cilat janë disa prej vështirësive me të cilat je përballur gjatë këtij procesi?

Vlora Nikçi: E vetmja vështirësi ka qenë identifikimi i subjekteve, të cilët pas disa viteve u bën të lehta dhe të rrjedhshme për mua. Tani jemi shumë miq me krejt ato gra e burra të jashtëzakonshëm nëpër të gjithë territorin e Malësisë.  Ata janë një pasuri e veçant jona.  Ata bartin ne vete të vërtetat tona, prandaj shpresoj të jetojnë me shëndet të mirë meqë edhe janë në moshë të shtyrë. Besoj se nuk do ta ndalim komunikimin së bashku.

Demokracia.com: Çka mendon që e ka bo këtë libër aq të pëlqyer nga publiku?

Vlora Nikçi: Për këtë pergjigje ndoshta do te jete me e drejte shkeputja e disa rreshtave nga kritika e thuktë e studiuesit dhe historianit të letërsisë, etnologut tonë të njohur botërisht, Sekretarit Shkencor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, Dr. Shaban Sinani, i cili thotë:

“Me këtë libër Vlora Nikçi u ka hapur punë studiuesve të traditave gojore, të cilët do të jenë të detyruar të ripërkufizojnë termat lirikë dashurie dhe lirikë erotike. Të afërt mes tyre, këto dy terma as e përfshijnë, as e mbulojnë njëri- tjetrin. Këtu nuk është fjala për fjalët e ndaluara të botimeve të mëparshme të lirikës shqiptare, të cilat në lirikën e dashurisë zëvendësohen nga një figurë poetike (molla, dardha, ftoi), kurse në lirikën erotike thuhen pastër, si çdo fjalë tjetër e gjuhës shqipe, si në këtë dialog të djalit dhe çikës n’zjarrmi të erosit:

T’hangsha cicat për ndar sjetull! 

Kqyr ma poshtë, se e gjê ’i tjetër.

Është diçka më tepër, që sjell libri i Vlora Nikçit Kangë popullore erotike. Para së gjithash janë këngët që kanë funksion inkurajues, funksion nxitës të dashurisë fizike, të erosit siç e përcillte hyjnia greke Eros, funksion që nuk e ka asnjë cikël tjetër këngësh popullore”.

Demokracia.com: Në një rrafsh më personal, si do ta përshkruaje konceptin e librit?

Vlora Nikçi: Është një libër që mban në vete të gjitha fushat e trashëgimisë kulturore. Aty jane tekstet që i kanë mbijetuar kohës dhe meloditë origjinale të atyre grave dhe burrave, në dialektin e tyre të asaj kohe.

Po ashtu une kam vendosur që këto karaktere te këtyre këngëve, të plotësohen edhe me pamje origjinale të pikturave, të cilat kam dashur te bartin me vete veshjet e tyre të kohës, pra ato kombëtare.

Duke i veshur këta heronj shekullor edhe me erotiken e tyre të fortë, mendoj se është bërë kompletimi i shqiptarit modern i ardhur nga një kulturë e lashtë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme