Në një moment kur dinamika e njohjeve të pavarësisë së Kosovës kishte hyrë në një fazë të zbehur, lajmi i fundit për njohjen nga Sudani – pas asaj nga Kenia disa ditë më parë – është një sinjal i qartë se diplomacia kosovare po rifiton vrull në skenën ndërkombëtare. Me vendimin e fundit të Sudanit, numri i shteteve që e njohin Kosovën ka arritur në 119, një shifër e rëndësishme për përpjekjet e vazhdueshme të shtetndërtimit dhe të konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Në njoftimin zyrtar, Presidentja Vjosa Osmani e përshkroi këtë hap si “fillimin e një partneriteti madhështor”, duke theksuar se marrëdhëniet diplomatike me Sudanin do të hapin rrugën për bashkëpunim të ri në fusha të shumta. Marrëveshja u finalizua në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia, ku ministri i Jashtëm i Sudanit konfirmoi vendimin e presidentit të vendit për të njohur Kosovën.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe disa vjeçare pa njohje të reja – që nga Izraeli në vitin 2021 – dhe përforcon rëndësinë që po i jepet aktualisht Afrikës dhe Lindjes së Mesme si rajone strategjike për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.
Megjithatë, njohjet e fundit nuk duhet të fshehin sfidat e mëdha që ende mbeten përpara. Përkundër faktit se Kosova ka një përqindje të lartë të popullsisë myslimane, shumë vende arabe – sidomos anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik – kanë qenë të rezervuara apo të pavendosura në qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës. Nga 57 shtete anëtare të kësaj organizate, vetëm një pjesë e vogël e kanë njohur Kosovën, ndër to Turqia, e cila qëndron si mbështetëse e fuqishme që nga dita e parë.
Kjo përmbajtje e vendeve arabe për të njohur pavarësinë e Kosovës ka sjellë në të kaluarën kritika të shumta ndaj diplomacisë shqiptare dhe kosovare, që shpesh është konsideruar si pasive dhe jo e mjaftueshme në lobimin drejt këtyre shteteve. Gjithashtu, një iluzion i zakonshëm ka qenë ideja se përkatësia fetare do të ishte faktor i mjaftueshëm për të siguruar mbështetje automatike nga bota islame – një premisë që ka rezultuar e gabuar. Vendet arabe, ashtu si shumica e shteteve sovrane, veprojnë mbi bazën e interesave kombëtare, strategjike dhe gjeopolitike, shpesh të ndërlidhura me marrëdhënie delikate me aktorë të tjerë globalë, përfshirë Rusinë, Kinën por edhe vetë Serbinë.
Në këtë kontekst, është e qartë se ndërtimi i një diplomacie më aktive, të qëndrueshme dhe të synuar ndaj vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës mbetet një domosdoshmëri. Shqipëria dhe Kosova duhet të rrisin prezencën e tyre diplomatike në këto rajone – aktualisht e kufizuar në pak ambasada – dhe të shtojnë vizitat dypalëshe, partneritetet ekonomike, kulturore dhe arsimore, duke krijuar një lidhje më të thellë përtej retorikës politike. Në këtë përpjekje për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare, sigurisht duhen shfrytëzuar partneritet strategjike të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst roli i diplomacisë turke ka qenë dhe mbetet i rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës. Si një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e saj në vitin 2008, Turqia është pozicionuar vazhdimisht si një aleat i palëkundur, duke ofruar jo vetëm mbështetje politike në forume ndërkombëtare, por edhe ndihmë konkrete në fushat e sigurisë, arsimit dhe zhvillimit ekonomik. Në arenën diplomatike, Ankaraja ka shërbyer shpesh si ndërmjetës dhe avokat i çështjes së Kosovës, veçanërisht në rajonet ku Prishtina ka pasur qasje të kufizuar, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Forumi i Diplomacisë në Antalia, ku u finalizua edhe njohja nga Sudani, ndoshta dhe fillimi i bisedimeve me Sirinë, është një shembull i qartë i kapacitetit të Turqisë për të krijuar platforma që fuqizojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Thellimi i këtij partneriteti strategjik me Turqinë – një aktor kryesor në arkitekturën gjeopolitike të Euroazisë – duhet të mbetet një orientim i rëndësishëm i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës në vitet në vijim.
Ndërkohë, Serbia ka reaguar me kritika të ashpra ndaj njohjeve të fundit, duke pretenduar se ato do të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me shtetet afrikane. Por kjo është një shenjë që njohjet e reja kanë peshë reale, dhe nuk janë thjesht akte simbolike. Shtimi i numrit të vendeve që e pranojnë Kosovën si shtet sovran e përforcon pozitën e saj në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si Interpoli, UNESCO apo në të ardhmen, ndoshta edhe në vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kosova po rikthehet në hartën e diplomacisë globale – dhe për të ecur përpara, nevojitet një qasje realiste, e balancuar dhe e koordinuar midis Prishtinës dhe Tiranës, që të shfrytëzojnë çdo mundësi për forcimin e njohjeve dhe thellimin e miqësive strategjike, përtej ndarjeve ideologjike apo stereotipave kulturore.