Lajme
“Dhurata” e fundit për popullin nga Albin Kurti| Faturat e rrymës për 16% më shtrenjtë
Demokracia
17:17 | 11 Prill 2025

Share:

Në përfundim të mandatit të tij si kryeministër, Albin Kurtit ia la edhe një dhuratë qytetarëve të Kosovës: Rryma u shtrenjtua për 16%. Kjo rritje e çmimeve po thuhet se ka ndodhur për t’i “shërbyer mafisë energjetike”.

 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka njoftuar edhe zyrtarisht se është marrë vendimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Kjo rritje do të jetë 16%.

“Rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%”, tha ZRrE-ja në njoftimin për media, shkruan Demokracia.com.

Ky vendim erdhi pas mbledhjes së sotme të Bordi të Zyrës së Rregullatorit për Energji,

Aty u miratuan të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët e licencuar, si në vijim:

– Kërkesa/propozimi fillestar i KOSTT-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OST/OT – ka qene 101.878 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88.198 mil€;

– Kërkesa/propozimi fillestar i KEDS-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OSSH ka qenë 214.45 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 mil€;

– Kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qene 447.626 mil€ ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 mil€, ku përfshihen operatorët e licencuar OSSH dhe OST/OT.

Sot pati tjetër protestë për të kundërshtuar këtë vendim.

Protesta përfundoi tek zyret e ZRrE-së.

Para shkuarjes atje, organizatorët kanë paralajmëruar padi dhe bllokim rrugësh.

Protestuesit që kanë dalur për të kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës, kanë nisur rrugën drejt ZRrE-së. Ata kanë paralajmëruar se do të bllokojnë çdo rrugë e çdo shesh.

“Anëtarët e grupit kanë filluar përgatitjen e padisë, do të ndjekim rrugët ligjore. Fatkeqësisht ZRrE-së, ne do të grumbullohemi përsëri, nëse është nevoja do të bllokojmë çdo rrugë, e çdo shesh, deri në momentin e fundit, sepse qëllimi është i qartë. Përgjigja është e qartë: asnjë cent më shumë. Nuk iu përgjigjën as gazetarëve. Do të shkojmë bashkërisht, para zyreve të ZRRE-së. Do të kërkojmë në mënyrë të qetë, mënyrë dinjitoze, dhe t’u themi edhe para syve se thirrja është e qartë: Asnjë cent më shumë”, tha njëri nga organizatorët.

Shtrenjtimi i rrymës është kundërshtuar thuajse nga të gjithë.

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rritja prej 16 % e çmimit të energjisë elektrike është në shërbim të mafisë energjetike.

Bajrami thotë se një gjë e tillë po ndodh kur kryeministër është Albin Kurti, ministre Artane Rizvanolli, që kanë mbrojtur për këto katër vite “Nagipat e Martinat”, dhe një bord të ZRRE-së që sipas Bajramit ndikohet nga partia në pushtet.

“Vendimi i fundit i ZRRE-së me bekimin e Qeverisë, për të rritur çmimin e energjisë elektrike për 16%, është i papranueshëm. Ky vendim është barrë e papërballueshme për qytetarët e vendit, e në veçanti për ata që e kanë gjendjen ekonomike jo të mirë”, ka shkruar ajo.

Bajrami: Rryma po shtrenjtohet kur Kurti është kryeministër, i ka mbrojtur për 4 vite Nagipat e Martinat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ai e ka cilësuar këtë vendim si një tjetër barrë mbi qytetarët dhe një favor të hapur për, siç e quan ai, “klikën mafioze energjetike” që, sipas tij, është instaluar nga Qeveria Kurti.

Haradinaj akuzoi ZRrE-në se po vepron në shërbim të Qeverisë Kurti dhe paralajmëroi ndjekje penale për ata që janë përfshirë në aferat energjetike.

“Vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e sërishme të çmimit të rrymës është një tjetër goditje për qytetarët e Kosovës dhe një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri. ZRrE-ja, e cila është kthyer në një instrument në duart e Qeverisë Kurti, sot ka konfirmuar se nuk vepron më në interes të konsumatorit, por është shndërruar në mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime, për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin! Ndërkohë që shumë familje mezi përballojnë faturat, këta vazhdojnë të pasurohen përmes rrugëve të paligjshme dhe të turpshme. Ata ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj: ZRrE-ja e kthyer në instrument të qeverisë, i dha tjetër goditje qytetarëve të Kosovës

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka dalë në mbështetje të protestës së sotme kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ajo ka vlerësuar se rritja e çmimit të rrymës është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve të Kosovës.

Në profilin e saj na “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo padrejtësia duhet të ndalet.

“Rritja e çmimit të rrymës është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve. Është mundi i përditshëm që po ju vidhet pa mëshirë. Çfarë tjetër duhet të ju marrin? Dinjitetin? Të ardhmen? Kjo padrejtësi duhet ndalur! Asnjë cent më shumë nga djersa e qytetarit!”, ka shkruar deputetja e PDK-së.

Deliu-Kodra: Shtrenjtimit i rrymës është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16%, e cila pritet të ketë ndikim serioz në ekonominë e vendit, duke rritur kostot për bizneset dhe duke rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve.

AKB kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të shqyrtojnë masa lehtësuese, të sigurojnë transparencë të plotë rreth këtij vendimi dhe të hapin një dialog të hapur me përfaqësuesit e sektorit privat për të gjetur zgjidhje të pranueshme.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha në tërë botën në këtë periudhë  bien çmimet e energjisë elektrike dhe të derivateve të naftës në Kosovë, rritën çmimin për 16% të rrymës kurse bie mbi 15 % i derivateve të naftës. Qeveria e Kosovës zbret fitimin e kompanive të derivateve të naftes,rrit fitimin e operatorëve ekonomik  të energjisë elektrike.

AKB: Rritja e energjisë elektrike rrit varfërinë në Kosovë

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Nushi i PSD-së publikon foton e Kurtit me Konjufcën e Martin Berishajn: Relaks pas shtrenjtimit

Derisa Presidenca e kundërshtoi ngritjen e çmimit të rrymës, Qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së të mos e shtrenjtonte çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë. /Demokracia.com/. 

Këta janë zyrtarët përgjegjës për rritjen prej 16% të faturës së rrymës për qytetarët

 

Të ngjashme