Lajme
Njëjtë si Serbia, Prokuroria e Hagës i referohet Kosovës me “Kosovë dhe Metohi”
Demokracia
17:02 | 09 Prill 2025

Share:

ZPS përpos koordinimit me autoritetet serbe në mbledhjen e dëshmive kundër krerëve të UÇK-së, iu ka referuar Republikës së Kosovës ashtu si rëndom i referohet Shteti i Serbisë, si “Kosovë dhe Metohi”.

Pavarësisht se të drejtat dhe detyrimet e ZPS-së, burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj, ajo nuk e ka pasur problem që në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ti referohet Kosovës në formën serbe.

Më 11 nëntor të vitit 2022, Sefer Goxhuli ishte intervistuar nga dy punonjës të ZPS-së. Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’).

Në atë moment, ankuesi nuk ngriti ndonjë kundërshtim dhe shqetësim në lidhje me përdorimin e shprehjes ‘Kosovë dhe Metohi’, pasi u këshillua të mos e bënte këtë nga mbrojtësi i tij. Megjithatë, në fund të intervistës, ai shprehu shqetësimin e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion.

Pas kësaj, Sefer Goxhuli ishte ankuar tek Avokati i Popullit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përcjell Demokracia.com.

“Ai në vijim parashtron se përdorimi i një etiketimi të tillë për të përshkruar Kosovën është i neveritshëm dhe ngre shqetësime për konceptin që ka ZPS-ja për shtetin dhe njerëzit që përfaqëson. Ai pretendon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ nga ZPS-ja bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në ankesën e Goxhulit drejtuar Avokatit të Popullit.

Ankuesi Sefer Goxhuli gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument kur përdori këtë term.

Më 9 shkurt 2023, ZPS-ja iu përgjigj Avokatit të Popullit. ZPS e pranoi zyrtarisht se termi “Kosovo i Metohija” ishte përdorur në intervistën me ankuesin dhe pranoi se kjo ishte bërë gabimisht.

Pas ankesës, ZPS i kishte thënë Avokatit të Popullit se pas intervistës, ishin ndërmarrë disa hapa për të përcaktuar se si kishte ndodhur ky gabim dhe për të parandaluar përsëritjen e tij. Gjithashtu, punonjësve u ishin dhënë udhëzime të mëtejshme në lidhje me kontekstin e këtij termi. Tutje, ZPS i kishte kërkuar Avokatit të Popullit të rrëzoi këtë ankesë.

Avokati i Popullit i cili jo rrallë herë ishte kritikuar për qasjen e tij të njëanshme në favor të ZPS-së, e kishte pranuar pretendimin e ZPS-së dhe e kishte rrëzuar ankesën e Sefer Goxhulit.

Avokati i Popullit pranon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ ishte fyes për ankuesin. Pavarësisht kësaj, sipas Avokatit të Popullit, ZPS e kishte përdorur këtë term në mënyrë të paqëllimshme dhe gabimisht.

“Rrjedhimisht, Avokati i Popullit rrëzon ankesën në bazë të rregullës 29(3)(b) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pasi në të nuk provohet se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut nga ZPS-ja”, thuhet ndër të tjera në raportin e Avokatit të Popullit, Pietro Spera.

Termi “Kosovë dhe Metohi”, ishte përdorur shumë dekada më herët, por, ky term është riaktualizuar sërish në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, në kohën kur Slobodan Milosheviq, kishte marrë pushtetin në Serbi dhe nga ajo kohë përdoret si term fyes, poshtrues e nënçmues ndaj Kosovës. /Demokracia.com/

Ankesa e plotë

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2025
Lajme • 19 Prill 2025