Një muaj pas emërimit të Gramos Hashanit si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, gjendja në Korporatën Energjetike të Kosovës është përkeqësuar në mënyrë drastike.
Nga pesë njësi prodhuese në dy termocentralet më të mëdha të vendit – Kosova A dhe Kosova B – vetëm një është funksionale.
Aktualisht, vetëm blloku A4 i termocentralit Kosova A është duke prodhuar rreth 115 megavatë, ndërkohë që 68 MW tjera vijnë nga burimet e ripërtëritshme. Prodhimi i përgjithshëm nuk kalon 183 MW, ndërkohë që kërkesa në ditët e ftohta të prillit i kalon 900 MW. Kjo ka sjellë një varësi të plotë nga importi i energjisë elektrike, i cili po kushton shumë dhe po rrit çmimet për qytetarët.
Kriza është maskuar me heshtje institucionale. KEK ka ndaluar njësinë A3 për shkak të një defekti serioz me humbje të ujit, ndërsa njësia B1 është në remont të planifikuar. Sot u konfirmua se edhe njësia B2 është ndalur, duke e përkeqësuar edhe më shumë bilancin energjetik të vendit.
LEXO MË SHUMË:
KEK konfirmon ndaljen e B2-shit për shkak të një rrjedhje, por hesht për prodhimin real
Në vend që të merret me këtë situatë alarmante, Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Artane Rizvanolli ka mbështetur një rritje prej 15% të çmimit të energjisë, duke e arsyetuar me nevojën për mbulimin e kostove të importit – që në thelb është pasojë e dështimit për të siguruar prodhimin e brendshëm.
Përgjegjësia mungon, ndërsa faturën e paguajnë qytetarët.
Në vend se të kërkojë llogari për kolapsin e KEK-ut dhe të ofrojë zgjidhje për prodhimin e munguar, Ministria e Ekonomisë, nën drejtimin e Artane Rizvanollit, po e mbështet me vendosmëri rritjen e çmimit të energjisë prej 15%, siç është propozuar nga ZRRE.
Me deklarata të njëpasnjëshme në rrjete sociale dhe dalje publike në televizione, ministrja po përpiqet t’ia shesë qytetarëve këtë rritje si zgjidhje të domosdoshme – ndërkohë që vetë keqmenaxhimi institucional e ka sjellë sistemin në këtë gjendje.
Kush është Gramos Hashani?
Gramos Hashani, nga një kryetar i një nën dege të AAK-së në Obiliq arriti të krijoi lidhje me pushtetin aktual dhe të bëhet u.d i kryeshefit të KEK-ut.
Nga rrjetet sociale shihet që Hashani ka raporte të afërta me sekretarin e KEK, Alban Krasniqi si dhe me Valon Prebrezen, aktivistin e Vetëvendosjes që drejton Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), i njohur për ndikimin e tij në punësimet dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore.
LEXO MË SHUMË:
Alban Krasniqi, një figurë me ndikim të madh në ndërmarrjet publike, aktualisht mban njëkohësisht dy pozita të rëndësishme: është Sekretar i KEK-ut dhe njëherësh anëtar i Bordit të Trepçës.
Lidhjet e tij me Hashanin dhe Prebrezën nuk janë aspak të fshehta, madje, një fotografi e publikuar në profilin e Valon Prebrezës në rrjetet sociale i shfaq të tre bashkë, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi ndikimin e tyre në këto emërime.
(Foto: Gramos Hashani, Alban Krasniqi, Valon Prebreza)
Ardhja e Hashanit në krye të KEK-ut ishe e befasishme. Ai kishte mbajtur pozitën e zyrtarit financiar në këtë ndërmarrje publike. /Demokracia.com/