Më 5 dhe 6 prill, në Prizren dhe Gjakovë, policia arrestoi 16 qytetarë serbë. Lajmi u dha me pompozitet nga Minsitri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, e nga Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Të dy, thanë se disa nga ta kanë lidhje me sulmin në Banjskë. Prokuroria gjatë ditës së martë ka bërë të ditur se dy nga serbët që po mbaheshin ende, në ndalim janë lëshuar dhe se s’është kërkuar paraburgim për ta, sepse s’ka prova.
“Është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për REL.
Këtë vendim, Prokuroria tha se e ka ndërmarrë pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë dhe analizimit të të gjitha provave.
Por, Ministrja në detyrë Albulena Haxhiu pa paraqitur asnjë fakt, siç bënë shpeshherë, ka insistuar se kishte prova për ta.
“Në grupin 12 serbëve të arrestuar në Prizren, kishte persona aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Të arrestuarit në Gjakovë e Prizren kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë.” – shkroi ministrja, thua se para gjykatës si provë mund ta përdorësh deklaratën politike.
“Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm. Është vërtetë shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hudhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe.” – vazhdon ajo, pa ofruar asnjë fakt.
Dhe në fund sulmi ndaj organeve të drejtësisë, “Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë foca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë.”.
Këtë shkrim e shpërndau edhe ministri Xhelal Sveçla me mbishkrimin, “Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë foca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë.”.
Ndryshe, Prokuroria kur bënë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit para gjykatës duhet të prezantoj prova. Këto procese monitorohen edhe nga faktor ndërkombëtar.