Janë liruar serbët që u arrestuan gjatë fundjavës në Prizren, për të cilët ministri Sveçla kishte thënë se ishin oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, shkroi Sveçla.
Prokuroria Themelore në Prizren ka thënë për Express se nuk ekziston dyshimi i bazuar si standard të nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e sigurisë.
“Ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”, thuhet në përgjigje.