Komuna e Gjilanit nën udhëheqjen e Alban Hysenit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hapur një tender për “Ndërtimin e projektit të integruar të Bulevardit të Qytetit të Gjilanit”, me një vlerë prej 18 milionë euro. Demokracia.com ka vërejtur se komuna ka shkurtuar afatin e ofertimit për operatorët ekonomikë, duke shkelur ligjin dhe nxitur dyshime se disa kompani mund të kenë përfituar informacion paraprakisht. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka konstatuar këtë shkelje, por ende nuk ka ndërmarrë masa korrigjuese.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi një memorandum në vitin e kaluar me Komunën e Gjilanit për financimin e këtij projekti integrues, përfshirë sheshin, parkingun nëntokësor dhe objektin e administratës, me një vlerë totale prej 18 milionë euro. Sipas hulumtimit të Demokracia.com, Zyra e Prokurimit Komunal ka shkurtuar afatin e pjesëmarrjes së kompanive të interesuara në vetëm 20 ditë. Ligji për Prokurimin Publik kërkon një afat minimal prej 40 ditësh për tenderë të kësaj madhësie.
Tenderi është hapur më 18 mars dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar për 7 prill, duke bërë një afat total të garës prej vetëm 20 ditësh, e cila shkel nenin 44 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon qartësisht një afat minimal prej 40 ditësh për kontratat e mëdha.
Demokracia.com ka kërkuar një interpretim ligjor për këtë çështje, duke e pyetur sa duhet të jetë afati për pranimin e ofertave për tenderët e vlerës së madhe dhe në cilat raste mund të justifikohet shkurtimi i afatit të garës sipas Ligjit për Prokurimin Publik. Institucioni i KRPP-së ka konfirmuar se komuna ka shkelur ligjin në këtë rast të veçantë, por nuk kanë ndërmarrë asgjë ndaj kësaj shkeljeje.
“Konform nenit 87, paragrafit 2, nën-paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, duke u bazuar në pyetjen e parashtruar, KRPP sqaron si në vijim: Rregullat e Përgjithshme për Caktimin e Afateve Kohore për pranimin e Tenderëve ose Kërkesave për Pjesëmarrje përcaktohen me nenin 44 të LPP-së. Ndërsa, Rregullat e posaçme për shkurtimin e afateve kohore i përcakton neni 46 i LPP-së Paragrafi 1 i nenit 46 të LPP-së, përcakton: “1. Nëse ekzistojnë rrethanat që: (i) kërkojnë zbatimin e një aktiviteti të prokurimit në raste urgjente; (ii) e bëjnë të pamundur respektimin e afateve kohore të përcaktuara në nenin 44 të këtij ligji ose nëse është e aplikueshme edhe në nenin 45 të këtij ligji; (iii) nuk shkaktojnë urgjencat e parashikuara nga neni 35.2.1 (iii), nuk mund tu atribuohen veprimeve ose mosveprimeve të autoritetit kontraktues, autoriteti kontraktues mundet të zbatojë prokurimin me përdorimin e afateve të përshpejtuara kohore që përcaktohen me këtë nen”. AK në asnjë mënyrë nuk duhet t’i neglizhojë veprimet që duhet t’i ndërmarrë me kohë për të ushtruar aktivitetet e prokurimit në përputhje me kërkesat e LPP-së. Gjithashtu, në përputhje me paragrafin 2 të nenit 24 të LPP-së, Autoriteti kontraktues është përgjegjës për të siguruar që të gjitha aktivitetet e prokurimit të autoritetit të tillë kontraktues të ekzekutohen në përputhshmëri të plotë me këtë ligj. Po ashtu, ju sqarojmë se Departamenti i Monitorimit ka monitoruar këtë Aktivitet, dhe njeri nga rekomandimet ka qenë pikërisht për afatet e tenderimit, ku është rekomanduar që ky AP të realizohet sipas Afateve të Rregullta sipas nenit 44 të LPP-së. Ndërsa, shpjegimi rreth vendimit për shkurtim të afatit, AK e ka të publikuar në njoftim për kontratë dhe DT”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Rregullave të KRPP-së për Demokracia.com.
Komuna e Gjilanit e ka arsyetuar shkurtimin e afatit, duke thënë se nuk dëshiron që punimet të vonohen nga kushtet klimatike të dimrit.
“Pagesat lidhur me këtë aktivitet të prokurimit bazohen në Marrëveshjen për bashkëpunim të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësior dhe Infrastrukturës dhe Komunës së Gjilanit. Meqënëse ky projekt është një nga projektet më të mëdha për regjenerimin urban të qendrës së qytetit dhe objektin e ri të administratës, kërkojmë që ky aktivitet të publikohet me afat të shkurtër kohor, për të shmangur vonesat për shkak të dimrit”, thuhet në arsyetimin e Komunës së Gjilanit.
Ky argument nuk ka mbështetje ligjore, pasi Ligji i Prokurimit Publik dhe aktet sekondare nuk e parashohin motin si arsye për shkurtimin e afatit të garës.
Shkurtimi i afatit të ofertimit nga Komuna e Gjilanit ngre dyshime të forta për manipulim të garës, pasi një vendim i tillë mund të kufizojë konkurrencën dhe të favorizojë kompani të caktuara. Vendosja e një periudhe prej vetëm 20 ditësh për dorëzimin e ofertave, në kundërshtim me afatin minimal 40-ditorë të përcaktuar me ligj, lë shumë pak kohë për operatorët ekonomikë që nuk kanë qenë të informuar paraprakisht. Për më tepër, për këtë tender kërkohet një sërë certifikatash, si ato të standardeve ISCO, të cilat janë të vështira për t’u siguruar brenda një periudhe kaq të shkurtër. Po ashtu, kriteret financiare dhe teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit mund të jenë dizajnuar për të favorizuar kompani që tashmë i kanë këto dokumente dhe janë përgatitur paraprakisht. Një skenar i tillë rrit dyshimet se afati i shkurtuar nuk është një rastësi administrative, por një mekanizëm për të kufizuar konkurrencën dhe për të orientuar kontratën drejt një kompanie të caktuar. /Demokracia.com/
Lexo edhe:
Komuna e Gjilanit hap tenderin 18-milionësh për bulevardin, por shkel ligjin në afatet e ofertimit