Lajme
Historia e “Vidovdanit”: Çfarë shënohet në këtë ditë
Demokracia
14:50 | 28 Qershor 2021

Share:

Data 28 qershor shënon zhvillimin e Betejës së Kosovës, ku koalicioni i ushtrive të popujve të Ballkanit pësoi humbje nga Perandoria Osmane. Pas kësaj humbjeje, popujt e Ballkanit u pushtuan nga otomanët ose u detyruan të bëhen vasal të sulltanit. Princërit shqiptarë vazhduan të luftojnë e më i shquari ndër ta ishte Skenderbeu. Serbia u bë pjesë e Perandorisë Osmane. Në këtë datë, serbët çdo vit festojnë Ditën e Shën Vidit, e njohur si Vidovdan në gjuhën serbe, duke u mbledhur në kisha dhe tempuj të shenjtë të popullit serb, në Graçanicë dhe Gazimestan, për të kryer rituale fetare, si përkujtim i Betejës së Kosovës.

Beteja e Kosovës u zhvillua më 28 qershor (15 qershor sipas kalendarit të vjetër), 1389 në Fushën e Kosovës, midis koalicionit të ushtrive të popujve të Ballkanit, të prirë nga princi Lazar dhe forcave otomane të udhëhequra nga sulltani Murati I (mbretëroi 1360–89). Beteja ishte e ashpër dhe në të u vranë të dy liderët, Princi Llazar dhe Sulltan Murati, si dhe shumë princër tjerë. Të dy ushtritë gati se u zhdukën fare.

Por, Perandoria Otomane kishte resurse të ngrinte një ushtri të re, për kohë më të shkurtër. Popujt e Ballkanit nuk kishin mundësi të merrnin veten shpejtë dhe shumica prej tyre përfundimisht ranë nën sundimin Otoman.

Nuk ka shumë të dhëna për Betejën e Kosovës e madje shumica e këtyre të dhënave janë kontradiktore me njëra tjetrën.

Në kohën e ndërtimit të kombeve, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Beteja e Kosovës zë vend të rëndësishëm në narrativin komb-ndërtues veçanërisht të Serbisë që ende e shënon këtë datë si një nga vendimtaret në historinë e popullit serb.

Prandaj, kjo ngjarje sot më shumë dihet për nga mitet rreth saj se nga faktet historike.

Historia e betejës së vitit 1389

Nën sundimin e Sulltan Muratit I, otomanët e zgjeruan sundimin e tyre nga Anadolli në Ballkan. Në verën e vitit 1389, Sulltan Murati arriti në Kosovë ku u përball me koalicionin e princave.

Ndonëse beteja përshkruhet si betejë mes serbëve dhe turqëve apo mes të krishterëve dhe myslimanëve, faktet thonë krejt të kundërtën.

Në njërën anë ishin otomanët, ushtria e të cilëve përbëhej edhe nga ushtarë të popujve e princërve vasalë të tyre, përfshirë edhe të krishterë.

Në anën tjetër ishte një koalicion i princave të popujve të Ballkanit, ndër ta edhe shumë princa shqiptarë.

Nuk ka të dhëna të sakta as për madhësinë e ushtrive, por besohet që ushtria otomane ishte më e madhe në numër.

Beteja filloi me sulmin e kalorësisë së rëndë të koalicionit ballkanik të cilët u pritën nga shigjetarët osmanë.

Goditjet e kalorësisë në fillim u treguan të suksesshme por këto u amortizuan shpejtë nga këmbësoria otomane.

Dhe, ndonëse në fillim u duk që koalicioni i princave të Ballkanit do të ngadhënjente, nga fundi i ditës gjërat ndryshuan dhe shpresat për fitore të tyre filluan të zhduken.

Dihet se në betejë është vrarë Princi Llazar, por nuk dihet për rrethanat në të cilat është vrarë. Princi tjetër serb, Vuk Brankoviq, duke parë se beteja nuk mund të fitohej dhe duke ditur se duhej të shpëtonte sa më shumë ushtarë që të mundet, u tërhoq nga beteja. Në tregimet serbe, Brankoviq cilësohet si tradhtar dhe tradhtia e tij si shkas për vdekjen e Princit Lazar.

Në betejë është vrarë edhe Sulltan Murati I, të cilin besohet se e ka vrarë Milosh Obiliqi, një nga heronjt kryesorë në tregimet dhe legjendat për Betejën e Kosovës.

I biri i Muratit I, Bajaziti I, u bë sulltan dhe e vazhdoi edhe për një kohë fushatën e zgjerimit të pushtimit otoman në Ballkan, por më 1403 u mund afër Ankarasë nga trupat mongole të Timurlengut.

Kjo u dha mundësi zotërinjve shqiptarë që të forcojnë pozitat e tyre. Në këtë kohë dalin në skenë familjet si Balshajt, Dukagjinët e Zahariajt në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt në Shqipërinë Qendrore; Shpatajt, Zenebishët në Shqipërinë e Jugut.

Në këtë kohë, Venediku arriti të merrte qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit, e deri në Artë. Budva, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Parga, që ishin qendra të rëndësishme tregtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit u bënë pjesë e asaj që në histori njihet si Arbëria Venedikase.

Si e shfrytëzoi Slobodan Milosheviqi këtë ngjarje

Më 28 qershor 1989, Slobodan Milosheviq, president i atëhershëm i Serbisë, mbajti fjalimin e tij të famshëm që ishte ngjarja kryesore e eventeve të organizuara për të shënuar 600 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Kjo ngjarje është mbajtur pak kohë pasi Milosheviqi kishte hequr autonominë e Kosovës që kishte nxitur demonstrata të mëdha në tërë Kosovën.

Sipas raporteve të Serbisë e Jugosllavisë, atë ditë në Gazimestan ishin mbledhur deri në 2 milion njerëz. Sipas agjencisë Reuters ishin rreth 300 mijë.

Gjatë fjalimit të tij, Milosheviq kishte thënë se: “Përsëri jemi para betejave dhe në beteja. Këto nuk janë të armatosura, por as të tillat nuk mund të përjashtohen”.

Kjo fjali qe interpretuar si kërcënim dhe paralajmërim i Milosheviqit për luftërat që do të niste në ish-Jugosllavi.

Fjalimi u ndoq nga përfaqësues të shtetit serb dhe jugosllav dhe të Kishës Ortodokse Serbe. Ngjarja u bojkotua nga anëtari kroat i Presidencës, Stipe Šuvar, si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë ambasadorët e vendeve të Komunitetit Evropian dhe vendet e NATO-s, me përjashtim të Turqisë, që kishte interes të drejtpërdrejtë në këtë ngjarje si shteti pasardhës i Perandorisë Osmane.

Në të njëjtën ditë, 12 vite më vonë, Milosheviqi është dorëzuar në Hagë nga autoritetet e Serbisë, për t’u gjykuar për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat e sigurisë të udhëhequra nga Slobodan Milosheviq. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme