OpEd
Mrekullia e dashurisë…
Demokracia
08:54 | 17 Mars 2025

Share:

NGA ILIR CENOLLARI 

Një shoqëri materialiste rrëshqet me lehtësi drejt vulgaritetit, lakmisë, agresivitetit dhe cektësisë. Ajo ngushton hapësirat e bashkëjetesës, rrudh shpirtin dhe helmon mjedisin shoqëror me vrer, helm dhe ligësi. Përshtatja apo ambientimi me këtë realitet sjell rreziqe të mëdha për individin dhe shoqërinë, pasi humb kuptimi i jetës dhe thelbi i lumturisë. Po ç’na mëson filozofia? Bukuria – thotë ajo – është pikënisje dhe burim i të gjitha virtyteve njerëzore. Gjergj Fishta bukurinë e përfytyron si rrezet diellore, si drita që buron prej harmonisë së një trupi. Përse bukuria dallohet nga çdo njeri edhe pa qenë artist? Ndjenja është shqisa dhe kriteri i vlerësimit të saj. Meqenëse ndjenja është kaq e larmishme dhe shijet e njerëzve janë kaq të ndryshme. Fan Noli (“Shekspiri në rrezik”, Vepra V, faqe 227-228), thotë: “S’ka logjikë në bukuri dhe ata që kërkojnë ta vënë këtë perëndeshë të marrë në tryezë të anatomisë, pësojnë atë që pësoi Zeusi, kur deshi të hiqte kurtinën e Parasit dhe provojnë që s’ka sy”. Prapa vështrimit verbues, thellë-thellë, fshihet perandoria e bukurisë, e cila e robëron njeriun duke i treguar fytyrën e ëndërruar! Dashuria krahasohet me hyjninë, me Di-në, Venusin, Afërditën, megjithatë, dashuria tokësore dallon nga dashuria qiellore, sikurse fuqia e dashurisë fizike nga fuqia e dashurisë hyjnore. Afërdita është joshëse dhe grykëse, kurse dashuria është joshje e kulmuar në bujari dhe fisnikëri. Afërdita sjell dashurinë, por akti fizik nuk është e thënë të arrijë bashkimin fisnik të shpirtrave të dashuruar.

Në rast se mungon dashuria, vepra e Afërditës blihet dhe shitet tregjeve për pesë lekë, vajza do të shndërrohet në një krijesë të përçmuar, djali në një qenie të shthurur, i dashuruari s’do të ndërmarrë vepra të guximshme dhe të kryejë sakrifica të jashtëzakonshme deri në vetëfljim! Dashuria purifikon dhe zbukuron instinktet njerëzore, kurtizanen e shndërron në princeshë, djaloshin e rrëmbyer në fisnik! Perandoria e dashurisë së vërtetë është totale dhe absolute. Ajo dëbon nga zemra çdo ndjenjë të ulët dhe çdo dëshirë të pamundur. Dashuria gjendet në shpirt, ndonëse buron nga trupi. Nga tërheqja fizike lind frymëzimi, entuziazmi, magjepsja, deliri, fluturimi në hapësirë dhe pafundësi, zemra ikën te gjoksi i tjetrit në një ecejake të pafundme. Kjo metamorfozë dhe fuqi demoniake ka gurrë hyjnore dhe përfaqëson flakën e perëndishme që fërfëllon në zemrat e vdekatarëve.

Dashuria buron nga Zoti dhe është zbulesë, ndjenjë hyjnore, zotërim i përjetshëm i mirësisë, pavdekësi! I dashuruari ka vizionin e profetit, frymëzimin e poetit dhe guximin e heroit! Temperatura, ethet dhe zjarrmia që ndjen në shpirt është forca që përsos dhe skalit deri në përkryerje portretin e dashur, jo në gur, as në letër, bronz apo mermer, por në flakën llamburitëse të dashurisë së zjarrtë!  Këtë imazh ai e mban vazhdimisht në sy dhe nuk e fshin dot për asnjë çast, as në punë, as në udhëtim dhe as në gjumë. Njeriu i dashuruar s’është më ai i pari, nga qenia e rëndomtë, e vrazhdë, nga njeriu i ndërkryer, zemrak dhe i rrëmbyer, egran dhe zemërngushtë, lind një krijesë tjetër, lind njeriu me flatra, njeriu bujar, zemërmirë, i ndjeshëm, i dhembshur, i dashur dhe i lirë… Kjo quhet mrekulli e dashurisë! Kjo është arsyeja që dashuria merr një karakter fetar dhe shenjtërohet! Atë nuk e vret dot, se krimi e tejkalon veten dhe shndërrohet në mëkat ndaj zotit! Ndëshkimit të tij nuk i shpëton asnjë krijesë njerëzore! Dialektika e dashurisë, pra është ajo fuqi e pabërballueshme që bashkon në amshim dy qenie njerëzore, si qëllimi final i jetës, si pavdekësi ose përjetësi!

Dashuria njerëzore ndjek modelin hyjnor dhe garanton vazhdimësinë e jetës dhe ekuilibrat “kozmikë”. Ajo është në përputhje me natyrën, me venomet hyjnore, me virtytin dhe mirësinë! Arti në të gjitha kohët është ushqyer nga kjo ndjenjë madhështore, nga bukuria dhe dashuria. Të njëjtën gjë ka kërkuar dhe filozofia. Dashuria sipas Platonit është fuqi e shpirtit, një dëshirë drejt bukurisë së përjetshme. Dashuria i nënshtrohet provës së kohës, ajo s’bëhet për pasuri, për pushtet, për interes. Dashuria është e përkorë dhe synon gjithmonë më larg, më lart, më tej, më përtej. Ajo e rrëmben shpirtin e dashuruar në një kërkim të pafundëm, që e tejkalon vazhdimisht vetveten. Nëpërmjet saj njeriu njeh veten, e duke njohur veten ai është në gjendje të njohë dhe tjetrin!

Dashuria është si metaforë, ajo na lidh me universin, na lidh me realitete hyjnore sepse synon përherë përkryerjen dhe tejkalimin e vetvetes. Dashuria është e aftë të vendosë marrëdhënie harmonie mes elementëve më të papajtueshëm, mes elementëve më armiqësorë, pasi mposht çdo pengesë dhe konflikt të brendshëm, thyen çdo limit dhe shpirti fiton shtrirjen më të madhe. Shpirti që dashuron bëhet filozof, ai s’bën gjë tjetër veçse ngre pyetje, dialogon me vetveten, përgjigjet vet, kalon nga pohimi në mohim, nga dyshimi në siguri dhe anasjellas. Në këtë mënyrë mendimi zbulon dhe vlerat e arsyes praktike, strukturat e arsyeshme të reales, shëndetin e vet shpirtit. Kjo i bën shumë mirë shëndetit të njeriut, se e shëron nga mjaft sëmundje të këqija, e përtërin, fisnikëron dhe gjallëron vazhdimisht, i falë gëzimin e të jetuarit. Dashuria përmban ndjenjën e mirësisë, vetëmohimin për tjetrin, sepse çrrënjos nga thellësia e shpirtit egoizmin kafshëror. Dashuria nuk e pranon forcën, as dhunën, as urrejtjen dhe ndjenjën e pronësisë, se dhuna, urrejtja dhe ndjenja e pronësisë vijnë në kundërshtim me natyrë e saj! Dashuria ekziston në liri dhe vetëm në liri! Ja pra, dashuria i rrëfen njeriut se ç’është më e lartë dhe më fisnike në jetë! Ajo i tregon njeriut se cili është kuptimi i jetës dhe burimi i lumturisë! Dashuria është krijuese e madhe, krijuese e shpirtit dhe trupit. Kështu ajo bën pak a shumë atë që ka bërë Krijuesi me universin. Dashuria nëpërmjet lëvizjes rritëse, bën kalimin nga individualja tek universalja, nga fizikja te shpirtërorja, nga trupi te shpirti, nga aksionet te ligjet dhe shkencat.

Dashuria prodhon vepra të mrekullueshme dhe shpie te shkenca e bukurisë absolute, e bukurisë së përkryer. Dashuria është krijuesja e virtytit të vërtetë. Dashuria ndalet në meditimin që hyjnizon dhe krijon. Dashuria nuk e njeh objektin e saj të vërtetë. Trupi i bukur pas së cilës ajo jepet është veçse shenjë, refleks i bukurisë ideale, të cilën ajo e dëshiron turbullazi. Çdo bukuri merr pjesë në bukurinë në vetvete dhe e nxit shpirtin ta kërkojë atë nëpërmjet kapërcimit të vetvetes, nëpërmjet pastrimit shpirtëror, sigurisht dhe aktit hyjnor të faljes. Dashuria nuk është vetëm burim fuqie dhe qëndrese, guximi dhe vazhdimësie, por edhe motori i kulturës. Fryt i dashurisë së pavdekshme, kultura shënon fitoren e jetës mbi vdekjen. Kultura, në këtë mënyrë merr vlera fetare dhe shenjtërohet. Platoni nuk e ndan bukurinë jo vetëm nga dashuria, por dhe nga e vërteta, dija, mençuria, shpirti, drejtësia. Ajo që është e bukur është dhe e drejtë, dhe e mençur, dhe e vërtetë, dhe e mirë! “Mençuria, – thotë ai – nxit dashuri të pabesueshme, nëse ajo shfaq para syve tanë një imazh kaq të qartë sa të bukurisë”! Drejtësia është për këdo dhe për të gjithë kusht i shëndetit dhe harmonisë së shoqërisë, drejtësia shkon krah për krah me të vërtetën. Për të soditur të vërtetën shpirti i të dashuruarve u afrohet mistereve të përkryerjes absolute; më në fund arrin tek ato gjëra zotërimi i të cilave i siguron Zotit hyjnizimin, qenien hyjnor. Ndryshe, ky njeri ka dashur rininë e përjetshme me një dashuri filozofike. Shkenca nuk është vetëm dije e pavarur, parim i çdo virtyti, shkenca është dhe njohuri, është dije intelektuale e qenies së gjërave. Ajo që është e vërtetë për shpirtin i bashkohet së vërtetës universale, të vërtetës së universit. Shpirti është farefis me esencat ose thelbet. E mira është një, bazamenti mbi të cilën vendoset rregulli, harmonia, drejtësia hyjnore, masa me anë të së cilës ato mund të njihet universalisht. Zoti është masa e çdo gjëje!

Të ngjashme
OpEd • 05 Maj 2025