OpEd
Edhe Gjermania rikthehet shpejt djathtas…!
Demokracia
16:02 | 27 Shkurt 2025

Share:

Nga: XHEVAT MUSTAFA

Më 23 shkurt 2025 përfunduan normalisht dhe duke e nxjerrë rezultatin e përafërt brenda pak orëve zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani. Pjesëmarrja në votime ishte 82.5%, më e larta që nga ribashkimi gjerman, përqindje që në zgjedhjet në Shqipëri as nuk mund të fantazohet apo ëndërrohet. Ashtu siç pritej, fituesja e parë është CDU-CSU, me rreth 28.6% ose me 208 deputetë. E dyta, AFD, me rritje rreth dyfish në krahasim me zgjedhjet më 2021, me rreth 20.8%. ose me 152 deputetë. SPD e kancelarit në largim Olaf Scholz ra në 16.4%, duke i vendosur ata në vendin e tretë, me rreth 120 deputetë… Mund të thuhet se kështu SPD u ndëshkua me të drejtë nga qytetarët gjermanë për rezultatet e dobëta në qeverisje apo shprehur edhe më hapur, për keqqeverisje.

Nga harta e Gjermanisë pas përfundimit të zgjedhjeve të 23 shkurtit 2025 shprehet fare qartë, në gjermanisht dhe në shqip, nga ngjyrat e siglave apo simboleve si dhe nga shifrat, e vërteta, paradoksale dhe aspak befasuese! Në landet e pjesës të Gjermanisë Perëndimore apo të ish-RFGJ në zgjedhjet e 23 shkurtit 2025 fitoi ndjeshëm dhe bindshëm CDU- CSU apo koalicioni i së djathtës! Padyshim, fitorja e këtij krahu do të ketë rrjedhoja pozitive, së pari, për vetë Gjermaninë, për të ndërprerë ecurinë e krizës ekonomiko-sociale e për rimëkëmbjen sa më të shpejtë ekonomike, sidomos në industrinë e prodhimit të automjeteve, të asaj kimike, metalurgjike, të prodhimit të pajisjeve elektronike, të materialeve të ndërtimit etj.. Së dyti, fitorja e CDU-CSU do të reflektohet jo vonë pozitivisht edhe për BE dhe Evropën, sidomos për vazhdimësinë e alternativës euro-atlantike, që ishte parësore gjatë qeverisjeve nga kancelarët e CDU-së, Helmut Kohl dhe Angela Merkel, duke rritur peshën dhe rolin e Bashkimit Evropian dhe duke ulur ndjeshëm peshën dhe ndikimin e Rusisë, sidomos në frontet politik, ushtarak, ekonomik, energjetik… Ndërsa në Gjermaninë Lindore, në ish-Republikën Demokratike Gjermane (DDR), mbizotëron qartazi, me përqindje votash dhe me mandate deputetësh AFD, edhe mbi disa parti “gjenetikisht” të majta, socialiste…!

Natyrisht, AFD ka arsye e të drejtë të festojë për këtë rezultat e për këtë fitore. Më shumë se për dyfishimin e përqindjes së votave në krahasim me zgjedhjet e afro 4 viteve më parë, për faktin se zgjedhësit në landet e Lindjes apo në ish-Gjermaninë Lindore (DDR), një pjesë e madhe, deri në rreth 15%, me nivel të ulët arsimor e kulturor, “parazitë” që jetojnë me ndihmat sociale të shtetit(Bürgergeld), me origjinë të përzier gjermano/ruse, pijanecë, njerëz problematikë edhe nga bashkëpunimi me STAS-in, “e harruan” apo nuk e morën në konsideratë faktin se kjo parti e ashtuquajtur e ekstremit të djathtë apo “naziskine”, qysh kur u poll, ka pirë e pi qumësht nga “lopa ruse” Gazprom. Domethënë, nga KGB-FSB apo edhe nga kabineti i Putinit…! Edhe në këto zgjedhje ndikimi rus “u fsheh” apo u justifikua me rëndimin e kushteve të jetesës nga kriza ekonomike (recesioni) dhe nga ushtria e emigrantëve të rinj, me kontingjente shqetësues edhe për qetësi, pastërti, siguri…! Natyrisht, këto probleme përjetohen jo më pak apo jo më lehtë edhe në landet e Gjermanisë Perëndimore! Por, në këto lande vota nuk ndikohet si në ato të Lindjes nga parimi apo motivi “për inat të vjehrrës, fle me mullixhinë” (Honekerin, Putinin)…?! Këtë “flirt sekret” apo “tifozllëkun rus” nuk e fshehu dot edhe një nga drejtuesit kryesorë të AFD, Alice Weidel, në një deklaratë të saj pas zgjedhjeve.

Duke ia ditur dhe mos ia falur këto lidhje të fshehta apo afeksion prorus, me plot të drejtë, AFD përjashtohet kategorikisht në debatet dhe llogaritë para krijimit të qeverisë së re, nga çdo mundësi koalicioni qeverisës nga figurat kryesore apo më përfaqësuese politike dhe drejtuese të CDUCSU-së e të aleates së saj më të mundshme SPD! Në të kundërt, paradoksalisht dhe papërgjegjshmërisht… këto “flirte politike” e këto “mëkate biznesi të pistë” iu “falën” AFD-së nga shumica e votuesve në ish-Gjermaninë Lindore, duke nxjerrë në plan të parë pakënaqësitë nga qeverisjet CDU-CSU dhe SPD – Të Gjelbërit, në drejtim të paaftësisë për të shmangur apo lehtësuar rrjedhojat e krizës së recesionit, e sidomos për tolerancën apo hapjen dykanatësh të dyerve ndaj ushtrive të emigrantëve nga vende të Afrikës, Azisë, Evropës Lindore. Amerika Latine… Nuk mund të kundërshtohet se këta turma të reja masive emigrantësh sollën me vete edhe nivelet e ulëta të edukatës dhe jetesës qytetare, rritje të kriminalitetit, të papastërtisë, të zhurmave nëpër pallate, lokale, rrugë, të korrektesës dhe disiplinës në punë… si dhe kërkuan dhjetëra miliarda euro shtesë në buxhetin e shtetit gjerman, për jetesë sa më normale, për t’i përgatitur në shkolla profesionale e për t’i integruar në tregun e punës.

Shqetësimet prej krizës ekonomike dhe fluksit të papërmbajtshëm të emigrantëve u shfrytëzuan me efektivitet nga liderët dhe shtabet elektorale të AFDsë, më shumë se për zgjuarsi dhe aftësi të tyre propagandistike, nga anshmëria e nostalgjia e moçme majtas e shumicës së banorëve të landeve lindore, shumica ish-komunistë, ish stas-istë, ish aparatçikë në komitetet e partisë e të 3 niveleve të pushtetit si dhe në struktura të tjera politike, qeveritare, shtetërore… Kjo ndarje votash dhe mandatesh Perëndim-Lindje shpreh se edhe pas 35 vitesh gjermano-lindorët, edhe pse shpëtuan nga mungesat e shumta e vuajtjet e panumërta të socializmit, sa jo pak ishin të gatshëm ta rrëzonin edhe me koka, dhëmbë e thonj… “Murin e Berlinit”, përsëri kanë nostalgji për atë kohë të ferrshme të gjase socializmit pa politikë sociale, të STAS-it… e të hallkave të tjera diktatoriale! Shprehur ndryshe: vazhdojnë të jenë viktima të sindromës të Stokholmit, Moskës, Minskut, Budapestit, Pragës, Bukureshtit, Tiranës, Havanës, Phenianit, Teheranit…! Apo, të strategjisë së Erich Honekerit, të Enverit, Edi Ramës, Putinit, Lukashenkos, Kim Jong Un- it…: mashtroi, shfrytëzoi barbarisht, terrorizoi sa më shumë këta “dele apo lepuj”, “derra e dosa”, me trupa njerëzorë, me diktaturë e varfëri! Bëju të 999- tat, sepse kështu të duan, mbështesin, votojnë, nderojnë, të puthin jo vetëm duart… Sa më shumë! Paradoksalisht dhe çmendurisht, edhe më tepër se veten dhe familjen, me gra e fëmijë…!

Mesazhi kryesor që vjen nga zgjedhjet e 23 shkurtit 2025 në Gjermani, sidomos nga rritja e ndjeshme e AFD-së, mund të shqipërohet edhe në formën “komunizmi ka zgjuarsi dhe aftësi manipuluese dhe degjeneruese sa t’i prishë njerëzit për nga ideali, bindja, morali, edukata, ndërgjegjja.

Duke u ndalur tek 1001 hallet tona, domethënë shqiptare, edhe “të majtët” e vërtetë dhe ata që i kanë shtyrë rrymat e kohës dhe të interesave të pista të anojnë me vota majtas, ashtu si shumica e shqiptarëve, mund të quhen të mjerët, të zinjtë, të ligjit apo këqijtë e vetes, grave, fëmijëve, vëllezërve, kushërinjve, komshinjve, miqve, shokëve. As pas 80 vitesh nuk janë bindur se këtë varfëri gjatë 47 viteve të Enverit dhe Ramizit, gjatë 21 viteve të Fatosit, Pandeli Majkos, Ilir Metës, Edi Ramës mbeten ndër të fundit në Evropë për nivel jetese; përmbytjen nga korrupsioni, kanabizimi, kullëzimi, kriminaliteti, trafiqet e paligjshme, prostitucioni, injoranca, nga rritja e çmendur e çmimeve, duke ua kaluar edhe Gjermanisë dhe vendeve të tjera me paga e pensione 5-10 herë më të larta se sa tek ne… i kanë peshqesh nga diktatura dhe qeverisjet komunisto-socialisto-rilindase…! Apo, nga “e majta”, më shumë nga fjalët se sa për nga veprat, më shumë internacionaliste se sa nacionaliste e shqiptare. Ajo, me skenar dhe përpjekje anti-PD e antidemokraci, me synimin e çmendur për rikthimin e vet sa më të shpejtë në pushtet e për të injektuar zhgënjim e pakënaqësi tek sa më shumë shqiptarë, nuk e lejoi qeverisjen nga qendra e djathtë të ishte më e suksesshme dhe më e ndjeshme për shumicën e popullit gjatë 12 viteve të qenies në pushtet, duke futur në radhët e saj “tufa apo kope me kuaj e pela” Blloku, Sigurimi, Sorosi…”.

Pasi ia arritën këtij qëllimi më 23 qershor 2013, për afro 12 vjet, Rama-qeveritë e kanë llogaritur dhe trajtuar shumicën e popullit të thjeshtë, ashtu si në kohën e Enverit, si turmë, kope, kavie, vota, numra dhe fytyra në “mitingje dhe spektakle madhështore”, me barkun e pangopur nga ushqimet me “pikatore” prej çmimeve tejet të lartë! Edhe në “epokën” Edi Rama drejtuesit partiakë, ministrat, deputetët, drejtorët e përgjithshëm, kryebashkiakët, patronazhistët, oligarkët, “investitorët strategjikë”… kanë menduar dhe punuar vetëm për plotpushtetshmërinë e tyre; për multimilionarizimin e vetes, të familjeve të tyre, për shtimin sa më shumë të kateve të kullave apo “piramidave” të tyre…në kohë moderne! Pa menduar se qeverisja e PD-së dhe partive aleate të saj gjatë 13 viteve të tyre, 1992-1917 dhe 2005-2013 PDsë bënë mrekullira e na sollën parajsën, përsëri, sidomos për nga përmasat e korrupsionit, paskrupullsisë, pangopshmërisë, papërgjegjshmërisë, pandjeshmërisë individuale dhe sociale ndaj shumicës së popullit me të ardhura të ulëta, nuk mund të mendohet dhe pranohet përralla dhe gënjeshtra e Rama-propagandës se “të dyja palët ishin dhe janë njësoj”!

Ndryshe nga qeverisja prej “së djathtës”, Edi Rama dhe qeveritë e tij, me paaftësinë, si dhe nëpërmjet abuzimeve skandaloze, PPP-ve, privatizimeve dhe shitjeve tejet korruptive të pronave dhe pasurive shtetërore, e kanë përmbytur vendin me miliarda euro borxhe dhe me dukuri negative, që do të na qëndrojnë si lak në fyt për 20-30 vjet. Prandaj po bëhet gjithnjë e më masiv mendimi se një qeverisje e re, me përbërje jo 100% nga PD e parti të tjera “të së djathtës”, por edhe me personalitete të paparti nga shoqëria civile dhe diaspora, duke reflektuar edhe nga gabimet e të gjitha qeverive gjatë periudhës 1992-2024 do të jetë të paktën rreth 25-50% më e aftë, më e mirë, më e dobishme, më e ndjeshme dhe e përgjegjshme për shumicën e popullit!

Nënkuptueshëm, edhe me nivel shumë më të ulët korrupsioni se sa Rama-qeveritë më 2013-2024…! Shqiptarët “e majtë” dhe “të pavarur”, në mëdyshje për krahun apo kahun e votës më 11 maj 2025 i ndihmon edhe koniunktura evropiane, sidomos ajo në vendet e BE-së, në SHBA, Gjermani etj.. Tendenca është e qartë e në përforcim: bien qeveri të majta e në vend të tyre ngrihen qeveri të djathta. Dy nga arsyet kryesore: shumica e popujve në këto vende janë bindur se qeverisjet e majta janë më pak të përkushtuara për mirëqenie të lartë e në rritje, për politikë sociale funksionale e të përjetueshme dhe masivisht më të korruptuara…! /Gazeta Panorama

Të ngjashme