Portieri i Juventusit, Mattia Perin, foli pas eliminimit të bardhezinjve në çerekfinalet e “Coppa Italia” ndaj Empolit, pas humbjes me penallti. Ai nuk e fshehu zhgënjimin dhe pranoi se ekipi nuk e përballoi siç duhej sfidën: “Zhvilluam një pjesë të parë për të cilën ndihemi të turpëruar. Është një ndjenjë e vështirë për t’u përballuar, por kështu ndodhi. Nuk arritëm ta kuptonim rëndësinë e kësaj ndeshjeje”.
Portieri bardhezi mori përgjegjësinë për të gjithë ekipin: “Duhet të bëjmë një analizë të thellë, përgjegjësia është e të gjithëve. Ndihemi shumë të mërzitur për këtë epilog. Duhet ta shohim veten në pasqyrë, sepse ndonëse kemi fituar katër ndeshje radhazi në kampionat, kur vesh këtë fanellë nuk mjafton”.
Perin pranoi se dështimi ishte i papranueshëm: “Flasim shpesh mes nesh për të kuptuar vështirësitë, por nuk është e lejueshme të eliminohesh në shtëpi, me gjithë respektin për Empolin. I pranojmë kritikat dhe vërshëllimat. Ndoshta ky zhgënjim do të na ndihmojë të nxjerrim atë që na mungoi sot”.
Në fund, portieri bëri një reflektim të sinqertë mbi pritshmëritë tek Juventusi: “Për të hyrë në historinë e Juventusit, duhet të fitosh trofe. Në këtë moment, ndoshta nuk jemi ende në lartësinë e duhur. Shpresoj që kjo humbje të na shërbejë si shtysë, duke filluar nga unë”.