Në Kosovë, partitë janë përfshirë në veprimtari politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ndonëse fushata zyrtare fillon të mërkurën.
Përgjatë këtyre veprimtarive janë regjistruar edhe incidente të përcjella me gjuhë të ashpër politike.
Autoritetet e sigurisë thanë se po bëjnë përgatitjet për të siguruar zgjedhje të drejta dhe të lira ndërsa organizatat vëzhguese bën thirrje për fushatë të qetë, raporton Zëri i Amerikës.
Ndonëse fushata zgjedhore fillon të mërkurën dhe do të zgjasë 10 ditë, partitë politike janë hedhur në parafushatë të gjerë që nga rrëzimi i qeverisë Hoti.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë janë bashkërenduar për të siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike. Mbi 100 prokurorë dhe gjykatës do të jenë kujdestarë në ditën e zgjedhjeve ndërsa policia ka përgatitur një plan të posaçëm të veprimit.