Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, ka treguar se si gjeti shkelje të Kodit të Etikës nga Radio Televizioni i Kosovës.
Bëhet fjalë për rastin ku gjatë këtij viti, RTK-ja ka transmetuar një lajm të “Slobodna Bosna”, ku u sulmuan dy media në Kosovë.
“Në këtë rast kemi pasur ankesë nga dy palët që janë afektuar nga lajmi dhe kemi parë se gjatë transmetimit të atij lajmi janë shkelur disa nene të Kodit të Etikës së KPM-së ku parashihet se çdo lajm i transmetuar duhet të jetë i balancuar. Duhet të mos jetë i njëanshëm, duhet të merret edhe opinioni dhe deklarata e palës për të cilën është subjekt i lajmit të tillë. Kemi pritur përgjigjen e të dyja palëve, të afektuarët dhe transmetuesit publik, përfundimisht kemi marrë një vendim në të cilin kemi gjetur në shkelje transmetuesin publik për këtë lajm”, është shprehur Mehmeti në Tempus në KTV.
Ky rast, siç thotë Mehmeti, u mbyll me sqarimin e subjekteve pikërisht në RTK, pasi kështu u kërkua nga KPM-ja.
“Kemi kërkuar që subjekteve në fjalë (palëve të afektuara) t’u jepet mundësia për sqarim rreth atyre supozimeve dhe i kemi dhënë një afat, sepse një lajm duhet të demantohet, të sqarohet brenda një periudhe të shkurtër, kemi dhënë afat shtatë ditor transmetuesit publik dhe në ditën e shtatë për fat të mirë, transmetuesi publik e ka zbatuar kërkesën e KPM-së dhe u ka dhënë hapësirën palëve dhe më këtë është mbyllur ky rast”, shtoi Mehmeti.