Gazetari Lirim Mehmetaj e quajti “rrenë të shekullit” atë se si e ka paraqitur Qeveria e Kosovës, rrëzimin e ligjit për çmime tavan nga Gjykata Kushtetuese, duke sjellë shpjegimin e djeshëm nga kryetarja e GjK-së, Gresa Cakaj.
“Siç po e shpjegon qartësisht kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, Gjykata Kushtetuese pikërisht atë pjesë të ligjit, pra të mundësisë së intervenimit me çmime tavan, e ka shpallur plotësisht Kushtetuese”, shkroi Mehmetaj.
Postimi i plotë:
Kjo mund të ketë qenë rrena e shekullit nga Qeveria e Vetëvendosjes – dëgjojeni ju lutem
Po bëhen tashmë vjet që Qeveria e Kosovës akuzon opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese se ia ka pamundësuar të vendosë çmime tavan për produkte bazike për të kontrollua rritjen e çmimeve, kur e vërteta qenka krejt e kundërta.
Siç po e shpjegon qartësisht kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, Gjykata Kushtetuese pikërisht atë pjesë të ligjit, pra të mundësisë së intervenimit me çmime tavan, e ka shpallur plotësisht Kushtetuese.
Thjesht paska pasur dy probleme të tjera.
E para, me Kushtetutë duhet që këtë ta bëjë një institucion i pavarur, të cilin do të mund ta themelonte Kuvendi për shembull.
Por, qeveria paska dashur që këtë kompetencë, për të vendosur për çmime, ta ketë kryeministri dhe ministri.
Gjë krejtësisht jo kushtetuese, sepse kjo do të mundësonte që të operohet politikisht në raport me biznese dhe do të mund të kthehej në mjet shantazhi.
E dyta, tashmë po ekzistoka një ligj që e mundëson ndërhyrjen përmes organeve të pavarura.
Pra, si përfundim: Ndërhyrja për uljen e çmimeve paska mundur të bëhet me ligjet që tashmë veçse janë në fuqi, ose qeveria ta përmirësojë ligjin e vet sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i ulë çmimet më pas, apo të bëjë ndërhyrje të tjera që e ndihmojnë konsumatorin.
Qeveria, thjesht, nuk paska dashtë me i ulë çmimet.
Për ta pasur shumë më të qartë se çfarë ka ndodhur, dëgjojeni shpjegimin e personit më kompetent në Kosovë në raport me pozitën që mban.