Aplikantët që kanë kërkuar shërbimet e Auditorëve të Energjisë në kuadër të programeve të eficiencës së energjisë po përballen me sfida financiare. Tarifat për auditimin e shtëpive individuale kanë shpërthyer nga vlera e parashikuar prej 150 eurosh, duke arritur në disa raste deri në 400-500 euro. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e qytetarëve, raporton Demokracia.com.
Në vend që procesi i auditimit të energjisë të jetë i qasshëm dhe i përballueshëm, shumë qytetarë dhe biznese po e gjejnë veten në një situatë të vështirë ekonomike. Fondi i Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (FKEE), institucioni përgjegjës për menaxhimin e këtyre aktiviteteve, ka pranuar ankesa nga aplikantët për tarifat e larta dhe të pakoordinuara që po kërkojnë auditorët.
Auditorët e Energjisë janë certifikuar nga Ministria e Ekonomisë dhe operojnë si profesionistë të pavarur. FKEE ka caktuar një shumë maksimale prej 150 eurosh që do të rimbursohet nga fondi për shërbimet e auditimit, por disa auditorë po kërkojnë tarifa shtesë nga qytetarët, pa autorizimin e FKEE-së. Në disa raste, këto tarifa janë rritur deri në 500 euro, duke i vendosur aplikantët në një pozitë të vështirë financiare.
Situata u komplikua më tej kur FKEE iu drejtua Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës (AKK) për të hetuar çështjen. Megjithatë, AKK konkludoi se nuk ka kompetencë për ta trajtuar këtë rast, duke u mbështetur në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Sipas vendimit të AKK-së që e ka parë Demokracia.com, Auditorët e Energjisë operojnë si individë dhe jo si ndërmarrje të regjistruara, prandaj nuk mund të jenë subjekt i rregullave për konkurrencë të drejtë. (DOKUMENT)
Demokracia.com ka adresuar një seri pyetjesh drejt këtij institucioni, duke përfshirë: Pse tarifat e Auditorëve të Energjisë kanë kaluar kufirin e paracaktuar prej 150 eurosh? Çfarë masash ka ndërmarrë FKEE për të monitoruar dhe kontrolluar tarifat? Si do të adresohen shqetësimet e aplikantëve që kanë paguar tarifa të tepërta?
Në përgjigjet e saj, zyra për informim e FKEE-së pranoi se qytetarët janë të detyruar të zgjedhin auditorë nga lista e certifikuar nga Ministria e Ekonomisë. Për më tepër, FKEE sqaroi se nuk ka kompetencë të përcaktojë ose të kontrollojë tarifat e auditorëve, pasi ato bazohen në parimet e tregut të lirë.
“Auditorët e Energjisë certifikohen nga Ministria e Ekonomisë dhe lista e tyre administrohet nga Departamenti për Efiçiencë të Energjisë në këtë ministri. Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka marrë listën e publikuar nga kjo ministri dhe e ka publikuar në ueb-faqe, me qëllim që qytetarët ta kenë më të lehtë të zgjedhin dhe angazhojnë auditorin. Pra, të gjithë të interesuarit për të aplikuar në thirrjet publike të FKEE-së, kanë mundur të përzgjedhin njërin nga mbi 200 auditorët e energjisë, sipas dëshirës së tyre. Në këtë relacion, FKEE nuk ndërhyn. FKEE nuk përcakton tarifa për shërbime nga auditorët e energjisë dhe nuk ka asnjë dokument nga asnjë institucion që i përcakton këto tarifa, pra ato bazohen në parimet e tregut të lirë. Shuma deri në maksimum 150 euro është përcaktuar nga FKEE, si shumë që do të kompensohet nga institucioni direkt tek qytetari për raportin e thjeshtuar të auditorit, pas përfundimit të punimeve, bashkë me shumën e përfituar të subvencionit. Ne kemi pranuar shqetësime nga disa qytetarë për shumat e ndryshme të kërkuara nga auditorët e energjisë dhe për këtë kemi njoftuar Departamentin për Efiçiencë të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë. Paralelisht, kemi dërguar njoftim tek Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, i cili ka nxjerr vendim se nuk është kompetent për të shqyrtuar shqetësime të tilla, sipas Ligjit Nr.08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës”, kanë bërë të ditur nga Zyra për Informim e këtij institucioni për Demokracia.com.
“Gjithashtu, në çdo komunikim publik kemi bërë thirrje tek qytetarët që shqetësimet e tyre, çfarëdo qofshin ato, t’i paraqesin tek organet kompetente që administrojnë me çështje të tilla. Pra, FKEE nuk është kompetente për marrjen e masave ndaj auditorëve të energjisë, sepse nuk është autoritet i certifikimit dhe mbikëqyrjes së tyre”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Problemet që po hasin qytetarët në zbatimin e projekteve për eficiencën e energjisë kanë zbuluar një boshllëk në sistemin aktual të menaxhimit të këtyre programeve. Ndërkohë që qytetarët përballen me kosto të larta dhe mungesë mbikëqyrjeje, institucionet përkatëse duket se nuk kanë një mekanizëm të qartë për të siguruar që procesi të jetë transparent dhe i drejtë.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si institucion i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm është themeluar me miratimin Ligjit për Efiçiencën e Energjisë (Nr. 06 / L-079). Ky institucion synon të arrijë objektivat e Republikës së Kosovës në Efiçiencën e Energjisë, duke nxitur, mbështetur dhe zbatuar masa të efiçiencës së energjisë, si dhe të tërheqë dhe menaxhojë burime financiare në mënyrë që të financojë dhe zbatojë projekte investive në fushën e efiçiencës së energjisë. /Demokracia.com/