Lajme
“Uniformat dukshëm më të mira” – Skandali i tenderit në Gjilan zbulohet nga eksperti i OSHP-së
Demokracia
22:17 | 30 Nëntor 2024

Share:

Komuna e Gjilanit, e drejtuar nga Alban Hyseni, shpalli në muajin gusht një tender për “Furnizim me uniforma për nxënësit e klasave të dhjeta të shkollave të mesme”. Megjithatë, procesi i përzgjedhjes nuk është finalizuar ende, pasi janë evidentuar shkelje nga ana e Komisionit të vlerësimit të tenderëve të komunës. Ky tender ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ka konstatuar parregullsi dhe ka rekomanduar rikthimin e lëndës për rivlerësim, shkruan Demokracia.com.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte 54,000 euro. Prokurimi komunal mori dy oferta: një nga kompania “Naim Shuki BI” me çmim 48,980 euro dhe tjetra nga kompania “Puntex”, e cila ofroi 52,416 euro. Megjithëse kompania “Naim Shuki BI” kishte ofertën më të ulët, ajo u eliminua me arsyetimin se “mostrat e saj nuk ishin të përshtatshme”. Në vend të saj, u shpall fituese kompania “Puntex”, duke u bazuar në pretendimin se “mostrat e saj ishin dukshëm më të mira”.

Pra, mund të shihet arsyetimi si një vendim subjektiv dhe i pabazuar profesionalisht, ose arsyetim i paargumentuar teknikisht. Pasi fraza “uniformat janë dukshëm më të mira” mund të paraqitet si një justifikim sipërfaqësor dhe pa mbështetje objektive nga komisioni.

Pas këtij vendimi, kompania e eliminuar bëri ankesë, fillimisht në komunë dhe më pas në OSHP. Eksperti i OSHP-së, pasi analizoi dokumentacionin, konstatoi se Komuna e Gjilanit kishte eliminuar kompaninë “Naim Shuki BI” pa asnjë bazë objektive. Ai argumentoi se pretendimi i komunës për cilësinë e mostrave ishte i pabazuar dhe në kundërshtim me nenin 37.6 të Rregullores për Prokurimin Publik, sipas të cilit mostrat duhet të trajtohen si pjesë e një testi teknik dhe jo në mënyrë subjektive.

Eksperti vuri në dukje gjithashtu se në dokumentacionin e tenderit, përfshirë Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit, mungonin specifikimet teknike për materialet, ngjyrat dhe cilësinë e kërkuar për uniformat. Për më tepër, komuna nuk kishte dhënë kritere të qarta për përzgjedhjen e mostrave dhe eliminimi i kompanisë “Naim Shuki BI” ishte bazuar në një arsyetim të përgjithësuar dhe të pamjaftueshëm.

Në raportin e tij, eksperti theksoi se oferta e kompanisë së eliminuar ishte ekonomikisht më e favorshme dhe duhej të merrej në konsideratë. Ai rekomandoi anulimin e vendimit të Komunës së Gjilanit dhe rikthimin e lëndës për rivlerësim, duke u siguruar që mostrat të trajtohen sipas rregullave të prokurimit publik.

Në Aneksin 1 të TD-së, AK nuk ka ofruar asnjë lloj vërtetimi apo dokumentacioni për materialet, trashësinë, apo përqindjen e ngjyrave të kërkuara nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu, në dosjen e tenderit nuk është specifikuar asnjë kriter për ngjyrat e përcaktuara si ngjyra të hapura apo të mbyllura (si p.sh. vetëm nuancat e vishnje, hiri, teget, etj.). Kjo pasi, arsyeja e eliminimit ka qenë edhe ngjyra e mostrave, se”fituesi ka ofruar mostra me të mira”. Një arsyetim ky jo profesional dhe i pambështetur në ligj.

Komisioni gjithashtu nuk guxon të bëjë një krahasim uniform mes OE-së Printeks dhe OE-së Naim Shuki BI, pasi procedura e tenderit është për çmimin më të ulët (ekonomikisht më të favorshëm), dhe oferta e eliminuar ka pasur çmim rreth 250 euro më të ulët. Megjithatë, operatori i eliminuar merr kohë pas kohe kontrata nga niveli qendror, ndërsa kompania e shpërblyer më pak, por siç është argumentuar në arsyetimin i komunës ka qenë skandaloz. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme