Sportelet e tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës, nga e hëna do të ofrojnë shërbime nga ora 08:00, në mënyrë që pritjet e qytetarëve të jenë më të shkurtër. Këtë vendim, komuna e ka komunikuar pasi që mëngjesin e sotëm qytetarët e Prishtinës kanë pritur para objektit të kësaj komune disa orë, që të kryejnë obligimet e tyre për regjistrimin e automjeteve. Demokracia.com gjatë asaj kohe, ka biseduar me qytetarët që prisnin në radhë.
Qytetarët po presin me orë të gjata për t’i kryer shërbimet në Komunën e Prishtinës, madje shprehen së kjo situatë ka qenë vazhdimisht.
Afron Totaj, qytetar nga Prishtina ka thënë për Demokracia.com se ka pritur tre orë që t’i kryej pagesat.
“Prej orës 7:30 jemi ardh, 10:30 ora tani. Punën e kemi lënë keq për me ardh këtu e me prit. Jemi duke prit që të bëjmë një pagesë për pronë, për regjistrim të veturës. Ne kemi qenë duke pritë ne rend e zyrtarët komunal kanë ardh pas neve. Kjo nuk është hera e parë që presim, edhe vitin e kaluar ka qenë kështu, por vitin e kaluare kemi pas parasysh që ka qenë koha e pandemisë. Krejt e kemi lanë punën për me ardhë këtu, duhet me qenë dikush që merr përgjegjësi për atë se çfarë po ndodhë këtu”, tha Totaj.
Gjithashtu, edhe Hasan Gashi shprehet i pakënaqur shërbimet të cilat ofrohen në të gjitha institucionet.
“Nuk është veç sot kështu, ne çdo ditë presim në rend, jo veç këtu po në çdo institucion. Çdo ditë e kemi kështu. Kjo është shumë e pa përgjegjshme. Jemi duke prit që nga ora 7 e mëngjesit duke krijuar tollovi”, tha Gashi për Demokracia.com.
Demokracia.com gjatë ditës ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, megjithatë, këta të fundit pasdite lëshuan një komunikatë.
“Ju njoftojmë se me qellim të menaxhimit më të mire të shërbimit për qytetarë, duke filluar nga dita e hëne, 21 qershor, sportelet e tatimit në pronë do të ofrojnë shërbime nga ora 08:00 deri në përfundim të orarit”, thuhet në komunikatë.
Kjo, sipas tyre, do të ndihmojë mbarëvajtjen e të gjithë procesit dhe do të ndikojë në uljen e kohës së pritjes para sporteleve.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës edhe ditë më parë ka marr vendim që të zgjasë orarin e punës në sportelet e tatimit në pronë.
Sipas këtij vendimi orari i punës nga dita e sotme do të fillojë nga ora 08:30 deri në orën 18:00.
“Njoftohen qytetarët e komunës së Prishtinës, se zyrtarët e sporteleve të tatimit në pronë dhe shërbimi postarë në Komunën e Prishtinës, ndërtesa e vjetër, do të punojnë me orar shtesë nga dita e enjte, 20 maj, prej orës 08:30-18:00, çdo ditë pune”, thuhet në njoftimin e komunës të lëshuar nga Drejtoria e Financave, shkruan Demokracia.com
Në njoftim theksohet se ky hap është marr për të shmangur pritjet e gjata të qytetarëve në shërbimet e pagesës së taksës rrugore./Demokracia.com/