Do të duhej që Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, t’i cënoheshin interesat e drejtpërdrejta të saj, që ajo të dalë kundër kryeministrit Albin Kurti.
Mund të ndodhte çdo gjë në Republikën e Kosovës, por Osmani asnjëherë nuk kishte marrë guximin që të dilte në publik dhe hapur kundër politikave të udhëhequra nga kryeministri Kurti, shkruan Demokracia.com.
Lexo më shumë:
Edhe pse flitej prej kohësh për raporte të acaruara dhe mungesën e komunikimit institucional, thyerja e madhe mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti u shfaq e pambuluar me incidentin e të parës së shtetit në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, në fillim të muajit gusht të vitit 2024, pasi kryeministri kosovar mbajti anën e palës maqedonase dhe madje as nuk reagoi në mbështetje të saj.
8 SHTATOR 2024 – DIKUR E MBRONTE MARTIN BERISHAJN DUKE SULMUAR MEDIET, ME SHUMË VONESË KËRKOI LARGIMIN E TIJ
Presidentja Osmani ka folur me shumë vonesë edhe për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili më 2022 u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro nga një kompani private në Mal të Zi në Slloveni.
Osmani deklaroi se nuk e ka ftuar ambasadorin Berishaj gjatë vizitës së fundit që ka zhvilluar në Kroaci.
“Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse, kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë, sepse e kam pasur stafin tim dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”, u shpreh Osmani.
Ajo tha se në raste të tilla, sipas saj, më e mira është që ai të largohej vetë nga pozita. Madje Osmani tha se këtë gjë e ka kërkuar edhe në takimet e përbashkëta me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Megjithkëtë, presidentja Osmani nuk ka mbajtur një qëndrim të tillë që nga fillimi. Ajo kishte dalë në mbrojtje të ambasadorit Berishaj më 22 prill 2022, në kohën kur ishte zbuluar afera korruptive në Slloveni.
Menjëherë pas shpërthimit të skandalit, presidentja citonte presidentin amerikan Joe Biden, duke nënkuptuar se akuzat ishin dezinformata: “Siç ka thënë presidenti Biden, rreziku më i madh për demokracinë tonë nuk janë vetëm tanket, por edhe dezinformatat”.
Ajo thoshte se priste që çdo publikim të konfirmohej nga organet e drejtësisë dhe se, nëse nuk konfirmohet, do të veprohet sipas vendimeve të marrë.
“Si presidente pres që çdo gjë që publikohet të konfirmohet, dhe nëse nuk konfirmohen ne procedojmë ashtu si i kemi marrë vendimet tona dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës sonë kur mohon akuza të tilla”, kishte deklaruar Osmani.
Lexo më shumë:
Osmani: Nuk e kam ftuar në takime Martin Berishajn kur kam qenë në Kroaci
GËRVALLA – NUK SHKARKOHET AMBASADORI ME NJË LAJM NË MEDIA
Vetëm disa kohë pas deklarimeve të presidentes Osmani, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla – Schwarz nuk ka mbajtur qëndrim të njëjtë si ish-bashkëpartiakja në LDK dhe me të cilën së bashku themeluan Listën GUXO pasi u larguan nga LDK.
“Nuk shkarkohet ambasadori për një lajm në media, është papërgjegjësi totale. Është spekulim total, sepse kam angazhuar institucionet e tre shteteve dhe nuk ka asnjë fakt të vogël që i hedh përgjegjësinë ambasadorit Berishaj, atëherë unë do ta quaj spekulim”.
Kjo është përgjigjja e Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, më 24 tetor 2024, lidhur me kërkesat që të shkarkohet ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i përfshirë në afera korruptive që kanë të bëjnë me energjinë elektrike dhe kompaninë GEN, dega në Beograd.
Njëkohësisht, kjo përgjigje është edhe qëndrim i fortifikuar i Gërvallës dhe Kurtit për ambasadorin Berishaj, të cilin e kanë mbrojur që nga dita kur shpërtheu skandali në mediat sllovene.
Më 24 mars 2024, Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, është intervistuar nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë.
Lidhur me intervistimin e Berishajt, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ambasadori është intervistuar me dyshimet për veprat penale “Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. /Demokracia.com/
Lexo më shumë:
Prokuroria Speciale: Martin Berishaj dyshohet për tri vepra penale, njëra nga to “shpëlarje parash”
Qeveria Kurti ia dha mbi 4 milionë euro kompanisë së lidhur me Martin Berishajn