Presidenca e Kosovës ka hapur një tender prej 120 mijë eurove për blerjen e biletave për avion. Me këto para planifikohet të blihen 300 bileta dhe për një të tillë do të paguhen 390 euro.
Vjosa Osmani po planifikon të shëtisë botën edhe për disa ditë. Udhëtimet me avionë duket se do të jenë të shpeshta, pasi Presidenca po planifikon t’i blejë edhe 300 bileta për avionë.
Tenderi për këtë blerje është shpallur dhe kap vlerën e 120 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.
Por, në cilat vende do të shkojë Osmani nuk dihet fare.
“Shërbime të udhëtimit me aeroplan (bileta) për nevojat e Zyrës së Presidentes së Kosovës. Relacionet nuk mund të definohen paraprakisht. Afërsisht rreth 300 bileta të udhëtimit me aeroplan. Vlera e parashikuar e kontratës: 120,000.00 euro. Bileta Aeroplani 300 copë. Çmimi për një biletë 390 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Presidenca ka treguar se blerja e këtyre biletave po bëhet pasi kontrata aktuale është gati të shpenzohet.
‘Pasi që kontrata aktuale për shërbimet e ngjashme është afër të shpenzohet si dhe duke pas parasysh dinamiken e udhëtimeve të Presidentes në mënyrë që të arrimë në kohen e duhur kontratën”.
Tregohet se biletat do të blihen vetëm pasi të lëshohet “urdhri i blerjes”.
“Dërgesat do të kryhen vetëm pas dhënies së “urdhër blerjes” që do të lëshohet nga Autoriteti Kontraktues, gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate publike kornizë. Kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi”.
Edhe në këtë tender tregohet se vlera e biletës prej 390 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit.
“Vërejtje: *Vlera e biletës prej 390 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit”.
Presidenca ka treguar se numri i biletave prej 300 copë është bërë duke u bazuar në vitet paraprake.
“Bazuar në vitet paraprake dhe në planin afatgjatë për planifikime të udhëtimeve, për shërbime të udhëtimit me aeroplan për nevojat e Zyrës se Presidentes të Republikës së Kosovës, nevojiten afërsisht 300 bileta për 12 muaj. Kategoria e biletave do të jetë vetëm të kategorisë ekonomike, përveç ne raste të veçanta kur është e pamundur të sigurohet një biletë në kategorinë ekonomike. Destinacionet e udhëtimit bazuar në ndarje regjionale në vlera të përafërta do të jenë: 60% shtetet e Evropës ndërsa 40% pjesë tjera te botës”./Demokracia.com/