Kuvendi i Kosovës ka dhënë një tender në vlerë rreth 40 mijë euro për blerjen e 120 biletave të aeroplanit. Saktësisht një biletë është përllogaritur të kushtojë rreth 330 euro, që në total i bie 39 mijë e 600 euro. Për këtë tender kanë konkurruar tri kompani me çmim identik, pra me 39 mijë e 601 euro e 20 cent.
Edhe për gjashtë muaj, Kuvendi i Kosovës ka siguruar biletat për udhëtime jashtë vendit.
Blerja e tyre që është bërë përmes një tenderi publik që kap vlerën e afro 40 mijë eurove.
Më këto para janë blerë fiks 120 bileta të avionit, shkruan Demokracia.com.
Tenderi për këto bileta i është dhënë kompanisë “Prime Tours&Travel SH.P.K”, deri sa nënshkrimi i kontratës është bërë sot.
“Shërbime të udhëtimit me Aeroplan – Bileta. Data e dhënies së kontratës 14.10.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 15.10.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 3 Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata Prime Tours & Travel SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 39,601.20 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit është treguar se për këtë shërbim kanë konkurruar tri kompani të ndryshme, por më e çuditshmja është së të tria kanë pasur çmime identike, madje edhe me centë.
- | Prime Tours & Travel SH.P.K. Prishtinë 39,601.20 euro.
- | As Travel Club SH.P.K. 14, Prishtinë 39,601.20 euro.
- | Altavia Travel SH.P.K. Prishtinë 39,601.20 euro.
Kuvendi ka vendosur që tenderin t’ia besojë kompanisë së parë.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës mori vendim të shpërblehet me kontratë operatori ekonomik, Prime Tours & Travel SH.P.K. për procedurën me titull: Shërbime të udhëtimit me Aeroplan-Bileta, me numër te prokurimit: 101-24-10432-2-2-5 (KU101 24 038 225)”.
Tutje thuhet se operatorët ekonomikë duhet t’i japin çmimet reale të tregut për pozicion dhe në total për furnizimet e kryera dhe shërbimet e ofruara.
“Vërejtje: Vlera e biletës prej 330.00 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online. Tarifa e shërbimit duhet dhënë vetëm me dy numra pas presjes dhjetore, (p.sh. 2.55 €). Oferta e cila përmban çmime me më shumë se dy numra pas presjes dhjetore, do të refuzohet në pajtim me LPP”, theksohet në njoftimin për dhënie të kontratës, përcjell Demokracia.com.
Kuvendi në fund ka treguar se si i ka njoftuar dy kompanitë e tjera që nuk e kanë fituar këtë tender.
“Me keqardhje ju njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana juaj nuk qe i suksesshëm, ngase të tre operatorët ekonomik të përgjegjshëm pjesëmarrës, keni dorëzuar ofertat me çmime të njëjta (identike). Autoriteti Kontraktues referuar rregullores për prokurim publik 001-2022, përkatësisht neni 39, 39.8: Votimi vlen vetëm për kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Dosje të Tenderit. Në rastet kur Autoriteti Kontraktues pranon 2 (dy) apo me shumë oferta të përgjegjshme me çmime të njëjta (identike) nuk vlen votimi i anëtarëve të Komisionit të vlerësimit për përzgjedhjen e OE, por përzgjedhja bëhet sipas kohës se dorëzimit të ofertës”. /Demokracia.com/