Natën e parë të këtij shtatori, një konflikt i armatosur trazoi banorët e lagjes “Aktash” të Prishtinës.
Nga kjo ngjarje, që sipas dëshmitarëve i ngjante skenave të filmave aksion, një person mbeti i vdekur dhe pesë të tjerë u plagosën.
Sipas prokurorisë, ngjarja ishte “qërim hesapesh” mes dy familjeve të njohura në vend: Gashi që njihen si “Capat” dhe Sekiraqët.
E të martën (3 shtator), në lagjen e njëjtë, sërish ndodhi një mosmarrëveshje ku sërish u përdor arma. Aty një person e nxori revolen dhe ia drejtoi në kokë një punëtori të një restoranti, e më pas shtiu në tokë. Për fat të mirë, nuk pati të plagosur.
Krimet ndodhin më shumë gjatë verës
Eksperti i sigurisë Avni Islami, gjatë një bashkëbisedimi me Klankosova.tv, tha se statistikat tregojnë se rastet e krimit rriten gjatë verës.
Ai përmendi disa shkaqe që sipas tij çojnë në rritjen e krimit gjatë sezonit të nxehtë, ku ndër to tha se është edhe rritja e adrenalinës.
“Për shkak se numri i qytetarëve rritet, sepse vijnë pjesa e mërgimtarëve, pastaj edhe shumë punë të tjera, dhe mosmarrëveshjet i lënë kryesisht në pushim, edhe ata por edhe vetë vendorët. Është interesant, rritja e adrenalinës te njerëzit, dhe ky është ndër ata faktorët që ndikon në rritjen e numrit të kriminalitetit. Pastaj faktori socio-ekonomik, dhe mosmarrëveshjet e vjetra mes qytetarëve”, u shpreh Islami.
Njeriu që e njeh fushën e sigurisë, gjatë përmendjes së shkaqeve të rritjes së krimit, i ceku edhe armët pa leje.
“Një ndër faktorët që do të doja ta cekja është edhe armëmbajtja pa leje. Në fakt, nuk dihet numri saktësisht se sa është, mirëpo sipas disa statistikave thuhet që numri është mbi 200 mijë armë pa leje në posedim të qytetarëve. Dhe kjo tregon se vendi ynë është me rrezikshmëri për shkak të armëve, jo vetëm armëve që mund të legalizohen, por edhe armëve të gjata”, deklaroi ai.
Islami thotë se qytetarët duhet të bëjnë kërkesë për t’u pajisur me leje për armë, sepse sipas tij, kështu mësohen se si ta përdorin dhe e kuptojnë rrezikun që sjell ajo.
“Armët të cilat ka mundësi të legalizohen, të bëhet kërkesa nga ana e qytetarëve, që të trajnohen se si mirëmbahet arma, sa është e rrezikshme, se si të lihet në vende të veçanta. Njeriu kur bart armën është i ‘trimëruar’, dhe shumë lehtë për shkak të rritjes së adrenalinës, dhe për shkak të një problemi që mund të ketë, ai mund të shkrepë armën”.
Eksperti i sigurisë thotë se është e pamundur që organet e rendit ta luftojnë këtë dukuri, pa ndihmën e faktorëve tjerë.
“Është e pamundur që vetëm organet e rendit, me masa represive ta luftojnë këtë dukuri negative, duhet të jenë disa faktorë që ndikojnë në uljen e kriminalitetit, duke filluar nga familja, shkolla, organizatat joqeveritare, pastaj një rol të pazëvendësueshme e kanë mediat e shkruara, pastaj televizionet, duhet të ketë reklama, të ketë sensibilizim të opinionit që arma vret, dhe se jeta e njeriut është më e vlefshme se gjithçka”.
Edhe psikologu Arbër Zeka, thotë se studimet tregojnë se kur temperaturat janë të larta, njerëzit mund të shfaqin agresivitet, pasi ato e rritin nivelin e lartë të ankthit. Megjithatë, Zeka nuk e përkufizon këtë specifikë si arsye kryesore dhe të vetme.
“Nëse flasim për sjelljet agresive dhe impulsive, fillimisht mund të themi që ato nuk do e njohin aq shumë motin dhe temperaturat, sepse ato janë pjesë e krejt moteve dhe temperaturave. Mirëpo në studimet që janë zhvilluar dhe janë matur sjelljet agresive dhe impulsive te njerëzit, ka rezultuar se në temperatura të larta njerëzit janë më nervozë. Derisa janë nervozë, ajo mund të ndikojë që ata që bëjnë krim të caktuar apo dhunë. Temperaturat e larta bëjnë të rritin nivelin e lartë të ankthit, e ankthi lidhet me impulsin e brendshëm”, shprehet ai.
Nuk është veç moti i nxehtë që rrit krimin
Zeka thotë se nëse një njeri kryen krim, kjo nuk do të thotë se ai është i shtyrë veç nga temperaturat.
“Për të bërë një krim, apo me qenë agresiv, ka një impuls tjetër që e ka shtyrë që ky impuls të ndodh, në këtë rast agresiv. Mund të jetë i shtyrë nga ndonjë emocion i ndrydhur, dhe dikush e ka prekur atë”.
Psikologu tutje gjatë bashkëbisedimit me Klankosova.tv, tha se nervozat më të mëdha mes njerëzve shfaqen kur ndodh ajo që ata e vlerësojnë si “shkelje të drejtësisë”.
“Nervozat më të mëdha mes njerëzve ndodhin kur shkelët drejtësia, mirëpo jo kushtimisht ajo që unë e mendoj se është drejtësi, është edhe për ty”.
Ndër arsyet e përmendura nga psikologu se kur shfaqet agresiviteti, ishin edhe mungesa e familjes, abuzimi me droga apo me alkool, problemet sociale, familjare, mes partnerëve, dhe probleme të tjera.
Ai thotë se njerëzit do të jenë më impulsivë ndaj një fenomeni, njeriu apo dukurie, kur në momente të caktuara ata ndiejnë siguri të shfaqin agresivitet.
“Nëse nuk je i sigurt ta shfaqësh agresivitetin, ndaj autoritetit apo dikujt më të fuqishëm, në mënyrë instiktive tregon se nuk do të shfaqësh agresivitet ndaj tij”.
Zeka thotë se gjatë mbrëmjeve tendencat për të qenë më agresiv janë më të larta, pasi gjatë ditës njeriu mund të përjetojë lodhje.
Shkak tjetër sipas psikologut, është edhe vetë personi, dhe konceptet e tij për dhunën dhe mënyrën se si është rritur.
“Ka njerëz që janë të edukuar, shumë të sjellshëm, dhe në një moment të caktuar ai del nga vetja, kurdo që do të shkelet ndonjë interes i caktuar, i cili s’është veç material por edhe personal. Këtu po flasim në kushte normale, sepse kur njerëzit kanë një çrregullim, dhe ai mund të jetë rezultat që njerëzit të shfaqen impulsivë dhe të jenë agresivë. Për shembull, te çrregullimet antisociale të personalitetit, ata janë të gatshëm të shfaqin agresivitet, të jenë kundër të tjerëve, t’i bëjnë keq të tjerëve, sepse ajo është një sjellje që i bën të ushqehen nga to”.
Zeka thotë se nëse reagimet impulsive janë të shpeshta, dhe vërehet se nuk po mund t’i kontrolloni, ndihma më e mirë sipas tij është ajo që e jep psikologu.
“Nëse reagimet impulsive janë të shpeshta, dhe nuk po mund ta kontrollosh. Ndihma më e mirë është te psikologu, i cili e mat agresivitetin. Jo nga dëshira njerëzit bëhen impulsiv, apo bën krim, ata e kanë një nevojë të pavetëdijshme. Një person edhe pse është i rritur, mund të jetë pjesë e një dhune verbale, që shoqëria e tij, familja, apo njerëzit tjerë nuk po e kuptojnë, ai si rezultat për të treguar veten e tij ‘duhet’ të jetë impulsiv, apo agresiv”.
Gjatë fundit të bashkëbisedimit me Klankosova.tv, psikologu tha se problemet shëndetësore shërohen nga ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik, dhe meditimi.
“Asgjë më shumë se meditimi nuk të ndihmon të kontrollosh agresivitetin tënd”, theksoi psikologu Arbër Zeka.
Çka thonë studimet ndërkombëtare për ndërlidhjen e dhunës me temperaturat e larta
Një studim i vitit 2016 i botuar në Gazetën Amerikane të Shëndetit Publik shqyrtoi tendencat e të shtënave masive në vitet midis 2013 dhe 2015 dhe zbuloi se të shtënat masive rriten gjatë muajve të verës, gjë që studiuesit besojnë se tregon një “ndikim sezonal”.
Një raport special i vitit 2014 nga Byroja e Statistikave të Drejtësisë në ShBA, shqyrtoi modelet sezonale dhe tendencat kriminale. Raporti zbuloi se krimet e dhunshme (si vrasja, përdhunimi dhe sulmi i rëndë) kanë më shumë gjasa të ndodhin gjatë verës se çdo sezon tjetër. Është besuar prej kohësh se nxehtësia rrit agresionin.
Një raport i vitit 2021 nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike në ShBA ndoqi modelet e krimit të dhunshëm në 36 objekte korrektuese. Studiuesit zbuluan se ditët me nxehtësi të lartë panë një rritje prej 18% të dhunës midis të burgosurve. Moti i nxehtë rrit temperaturën e trupit, e cila nga ana tjetër rrit rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Rritja e presionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës mund të çojë në parehati, të cilën studiuesit ia atribuojnë korrelacionit midis nxehtësisë së lartë dhe rritjes së zemërimit dhe dhunës.
Arsye për rritjen e shkallës së krimit, sipas Qendrës Juridike të Gifford, është edhe fakti se gjatë verës keni kohë më shumë të lirë për të kaluar jashtë. Tek të rinjtë ka më shumë mundësi për të vepruar me dhunë gjatë verës, sepse janë jashtë shkollës. 20 vrasje më shumë me armë nga adoleshentët dhe fëmijët ndodhin gjatë çdo muaji të verës, sipas të dhënave të shumta online për Hulumtime Epidemiologjike të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.