Themeluesi i platformës “Telegram”, Pavel Durov, u lirua të mërkurën nga ndalimi policor dhe u dërgua në një gjykatë për t’u marrë në pyetje para ngritjes së mundshme të një aktakuze, i thanë prokurorët televizionit CNN, disa ditë pas arrestimit dramatik në një aeroport të Parisit.
Miliarderi rus doli nga zyra kundër mashtrimit afër Parisit në atë që dukej si automjet policie të mërkurën pasdite, sipas një producenti të televizionit CNN atje, raporton ky medium.
Zyra e prokurorit të Parisit tha se Durovi tani do të ballafaqohet me “marrje fillestare në pyetje dhe aktakuzë të mundshme” në një gjykatë të kryeqytetit francez.
Durovi, 39 vjeç, u ndalua në aeroportin “Bourget” të Parisit të shtunën sipas një urdhërarresti të ndërlidhur me mungesën e moderimit të përmbajtjes në “Telegram”.
Rusi që ka shtetësi të Francës dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe ishte vënë në ndalim për 96 orë, sasia maksimale e kohës që dikush mund të mbahet në ndalim para se ndaj tij të ngrihet aktakuza.