Ndërmarrja komunale e Prishtinës, “Trafiku Urban” dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kishin nënshkruar një marrëveshje për blerjen e 30 autobusëve të rinj, duke përfshirë edhe gjashtë elektrikë. BERZH kishte dhënë një grant për të ndihmuar ndërmarrjen me shërbimet e konsulencës për këtë projekt. Megjithatë, Demokracia.com ka mësuar se BERZH-i tashmë e ka pezulluar përkohësisht këtë proces.
Pezullimi i procesit është bërë për shkak të ndryshimeve në Trafikun Urban, gjendjes financiare dhe mosvendosjes së qeverisjes korporative në këtë ndërmarrje. Në komunikimet që Demokracia.com ka parë ndërmjet zyrtarëve të Trafikut Urban dhe përfaqësuesve të BERZH-it në Kosovë, bëhet e qartë se BERZH ka refuzuar të marrë pjesë në takime të mëtejshme pa ua dërguar një plan të ri të biznesit dhe pa u vendosur qeverisja korporative në ndërmarrje.
Siç ka mësuar Demokracia.com, BERZH ka njoftuar edhe drejtuesit e Komunës së Prishtinës për pezullimin e procesit.
Në përpjekje për të marrë një përgjigje zyrtare, Demokracia.com i është drejtuar përmes emailit përfaqësuesit të BERZH-it në Kosovë, Arianit Blakajt, por ai nuk ka kthyer përgjigje, pasi gjendet në pushim vjetor deri më 2 shtator.
Pezullimi i këtij procesi ka ngjallur shqetësime. Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka alarmuar se po rrezikohet edhe kredia e BERZH-it dhe procesi i blerjes së autobusëve.
“Bordi i Drejtorëve të Trafikut Urban, pas shkarkimit të Kryeshefit Ekzekutiv, emëroi z. Qendrim Vitija si ushtrues detyre të Kryeshefit. Baba i Qendrimit është asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe aksionar në Ndërmarrjen tjetër Komunale ‘Termokos’. Zhvillimet e fundit dhe performanca jo e mirë e ndërmarrjes kanë rrezikuar kredinë e BERZH-it dhe procesin e blerjes së autobusëve të rinj”, kishte shkruar Sveçla.
Më datë 18 gusht ose fiks para dhjetë ditësh, Demokracia.com i është drejtuar “Trafikut Urban” lidhur me disa pyetje për këtë çështje, por menaxhmenti i ri i këtij institucioni është treguar tërësisht jotransparent, duke mos kthyer përgjigje.
Ndërkohë, pavarësisht premtimeve të shumta nga autoritetet komunale për një flotë të re autobusësh, procesi i zbatimit ende nuk ka përfunduar. Kredia prej 10 milionë eurosh e marrë nga BERZH për blerjen e 30 autobusëve të rinj, përfshirë gjashtë elektrikë, ende nuk ka sjellë rezultatet e pritshme, duke e lënë kryeqytetin në pritje të gjatë.
Në dhjetor të vitit 2022, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nënshkroi marrëveshjen për kredi prej 10 milionë eurosh me BERZH në Londër. Kjo kredi ishte destinuar për blerjen e 30 autobusëve, gjashtë prej të cilëve elektrikë dhe 24 të modelit EURO VI.
Tenderi për këtë projekt ende nuk është hapur, pasi procedurat e prokurimit do të udhëhiqen sipas standardeve të BE-së, ndërsa përzgjedhja e operatorëve do të bëhet nga ekspertë vendorë. Demokracia.com ka mësuar se kompania e përzgjedhur për shërbimet e konsulencës është “PPG” LLC nga Sarajeva, Bosnjë-Hercegovina, me një kontratë prej 58,250.00 euro.
Aktualisht, “Trafiku Urban” ka në dispozicion 51 autobusë. Me ardhjen e 30 të tjerëve, numri i tyre do të shkojë në 81. /Demokracia.com/