Sport
Revolucioni te KF Ferizaj: Kryesia e re ka “mision” ngritjen e klubit në majat e futbollit kosovar
Demokracia
17:04 | 09 Qershor 2021

Share:

Klubi i Futbollit Ferizaj duket se i ka dhënë fund krizës së madhe e cila e kishte kapluar edicionin e ri në Ligën e Parë të Kosovës. KF Ferizaj ishte buzë rënies edhe nga Liga e Parë për shkak të rezultateve negative. “Bardhekaltrit” mbyllën edicionin në pozitën e parafundit në Grupin B të Ligës së Parë me 30 pikë, vetëm dy më shumë se vendi i fundit, KEK-u.

Sidoqoftë, ferizajasit duan ta harrojnë sa më shpejtë edicionin e kaluar, ngase tashmë i kanë “përvjelur krahët” për një edicion të ri krejt ndryshe.

Më 1 qershor të këtij viti, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu prezantoi pronarët e rinj të klubit të cilët përbëheshin kryesisht nga biznese të fuqishme të qytetit.

Vetëm një ditë më pas KF Ferizaj zgjodhi kryetarin e ri, Lulzim Abazin. Drejtor sportiv i klubit u emërua një njeri që dha shumë për sportin ferizajas, Agron Selmani.

Bordi i ri i klubit nuk vonoi shumë dhe e vendosi në krye të shtabit teknik trajnerin e njohur, Megzon Visokën.

Ky mobilizim i menjëhershëm i donatorëve dhe kryesisë së re të klubit tregon se atyre i duhet një riorganizim i detyruar për t’i arritur objektivat duke filluar që nga edicioni i ri që pritet të fillojë në muajin gusht.

Drejtori i ri sportiv i KF Ferizajt, Agron Selmani ka thënë se deri te ky riorganizim i klubit ka ardhur për shkak se gjërat kishin mundur të përkeqësoheshin edhe më shumë në klubin në fjalë.

Selmani ka treguar dëshirën që kanë qytetarët e Ferizajt, teksa është i vendosur se ata do ta bëjnë më të mirën t’ia arrijnë synimit.

KF Ferizaj nuk ka pasur një vit garues të mirë. Përkundër angazhimeve të stafit në klub, megjithatë klubi arriti të sigurojë mbijetesën në Ligën e Parë. Duke parë se gjërat mund të përkeqësohen edhe më tutje, atëherë ka filluar një mobilizim për të përmisuar këtë gjendje. Prandaj ka pas ndryshime në klub në segmentin e pronësisë, segmentin organizativ si dhe atë profesional. Tani më është bërë rutinë që ne të rezervohemi në objektiva dhe ambicie, por qyteti i Ferizajt është kërkues dhe dëshiron Superligën. Ne si kryesi do të mbështesim me tërë mundësitë trajnerin e emëruar, Megzon Visokën për t’u realizuar këto objektiva dhe me këtë nënkuptojmë stabilitet financiar, organizativ dhe një atmosferë të mirë punuese si dhe sipas nevojave prurje kualitative të lojtarve”, ka thënë Agron Selmani të mërkurën për Demokracia.com.

Ish-trajneri i Ferizajt potencoi se objektiv i klubit dhe kryesisë së re është shkolla e futbollit.

Ne objektiv kemi përkrahjen maksimale për kategorinë e juniorëve dhe shkollën e futbollit në të gjitha segmentet”, theksoi ai.

I pyetur se a shpall kandidaturën për inkuadrim në Superligë qysh tash klubi i Ferizajt, Selmani pati një përgjigjje të qartë.

Është në natyrën e Ferizajt të lufton për inkuadrim në Superligë. Fakti që klubi ka pas një vit jo të mirë garues ka bërë që të ketë mobilizim të shtuar për t’u evituar situata të tilla dhe të ndërtojmë kushte për t’iu përshtatur objektivave dhe dëshirës së tifozëve “Ujqit” dhe qytetarëve të Ferizajt”, nënvizoi drejtori sportiv, Selmani. /Demokracia.com

Të ngjashme