Një zyrtar i Postës së Kosovës në Prizren ka pësuar një aksident me veturë. Ndërmarrja që është nën autoritetin e Qeverisë së Kosovës, e la veturën të aksidentuar për disa ditë. Posta e Kosovës tani ka lidhur kontratë me një automekanik për t’i riparuar dëmet e shkaktuara, të cilat nuk janë të vogla, shkruan Demokracia.com.
Vetura e tipit Peugeot Partner, prodhim i vitit 2013, do t’i kushtojë fiks 2395 euro Postës së Kosovës për riparim. Nuk është bërë e ditur se kur apo si është aksidentuar, veç se Posta ka lidhur kontratë në vlerën e lartshënuar me “Gentian Sakaj B.I” për “Rregullimin e veturës së aksidentuar”.
Në dokumentin e specifikave teknike që e ka parë Demokracia.com, pjesët që duhet të rregullohen janë si më poshtë:
- Air bag në timon (i hapur)
- Krilla e majtë
- Fari i majtë
- Goma së bashku me bandash
- Pasqyra e majtë
- Braniku i parë komplet
- Maska e parë
- Maska mbi branik
- Koshi i veturës
- Rami lidhës
- Vilushka e poshtme
- Amortizeri i majtë
- Mbrojtëset e gomave
- Stabilizatori i majtë
- Ura lidhëse e trapit
Automjeti i aksidentuar ndodhet në Prizren dhe afati i rregullimit duhet të jetë 10 ditë kalendarike.
Kjo ngjarje mund të shërbejë si një mësim i vlefshëm për të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë që të kenë kujdes më të madh në menaxhimin e pasurisë së tyre dhe të sigurojnë se çdo shpenzim është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.
Posta e Kosovës e ka një kontratë korniza 24 muajshe për mirëmbajtjen e veturave dhe riparimin në rast nevoje. Aty bëjnë pjesë edhe mirëmbajtja dhe riparimi i veturave Peugeot Partner, prodhim i vitit 2013. Kjo kontratë që është në dy lote është lidhur në muajin prill të këtij viti dhe është aktive. Posta ka mundur që të shfrytëzojë këtë kontratë për të riparuar veturën, pasi edhe aty janë të vendosura ‘çmimet për njësi’. /Demokracia.com/