Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.
Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.
“Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty.
Me qëllim që të përmirësohet në aspektin e të drejtave të njeriut, sipas tij, projektligji duhet të kalojë nëpërmjet procesit të konsultimit të gjerë me shoqërinë civile, ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare.
Projekligji për KPM-në të enjten është në rend të ditës për t’u votuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.
Zyra e Komisionerit O’Flaherty kishte publikuar raportin për Kosovën gjatë vitit 2022, me të cilin kishte identifikuar sfida që ndërlidhen edhe me lirinë e medias.
Roli i Komisionerit të Këshillit të Evropës është inkurajimi i reformave për përmirësimin dhe promovimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.