Surpriza e fazës së grupeve në Euro 2024 e ka emrin Gjeorgji.
Ekipi i vogël, i cili dëshpërimisht u kualifikua në një playoff ndaj Greqisë me penallti, ka arritur të mposhtë Portugalinë (e kualifikuar si e para në grup) me rezultatin 2 me 0 dhe të kualifikohet si një prej vendeve të treta më të mira nga grupet.
Në minutën e dytë ishte Kvaratskhelia, ai i cili realizoi golin e parë për gjeorgjianët dhe më pas, në minutën e 57-ë, Mikautadze vulosi gjithçka nga pika e bardhë e penalltisë.
Nga ana tjetër, Turqia ka arritur të marrë një fitore të vyer, por të vuajtur përballë Çekisë, duke zënë vendin e dytë në Grupin F dhe duke i eliminuar çekët nga Euro 2024.
Turqit do të realizonin të parët me Çalhanoglu, përmes një goditjeje të bukur nga brenda zonës.
Çekia ndërkaq, e mbetur me 10 lojtarë prej minutës së 20-ë, do të luftonte fort dhe do të gjente golin në minutën e 66-ë me Souçek.
Beteja do të ishte e ndezur deri në fund dhe me barazimin që i jepte kualifikimin turqve, do të ishin çekët ata, të cilët do të hidheshin me gjithë fuqinë përpara.
Por, në pamundësi për të shënuar, në minutën 94, një kundërsulm i shpejtë turk bëri që Tosun të realizonte dhe të mbyllte përfundimisht hesapet në këtë grup dhe gjithë fazën kualifikuese.
Portugalia shpallet fituese e grupit, Turqia e dyta, Gjeorgjia e treta dhe Çekia e katërta.
Kjo ndeshje vulos edhe fatin e Hungarisë, të cilët do të duhen të kthehen në shtëpi, pasi vendin e tyre mes të tretave më të mira e zë Gjeorgjia, me një pikë më shumë.
Hungaria dhe Kroacia janë dy vendet e treta të eliminuara nga faza e grupeve.
Holanda, Sllovakia, Sllovenia dhe Gjeorgjia janë vendet e treta, të cilat kualifikohen.