Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se çështja e migrimit në vend nuk është edhe aq keq sa po interpretohet, pasi sipas tij të rinjtë po kthehet në Kosovë për të punuar online.
Ai shtoi se për qytetarët që udhëtojnë është e rëndësishme përkujdesja që të kthehen sërish, shkruan Demokracia.com.
“Që nga pandemia, të rejat e të rinjtë po punojnë nga Kosova, janë kthyer te gjyshja e gjyshi dhe udhëtojnë shpesh. Është një nismë shumë më e lëvizshme se që ka qenë. Ata të cilët udhëtojnë nuk mund t’i ndalim dhe as nuk duhet t’i ndalim, por duhet të kujdesemi se a mund të kthehen pjesërisht”, ka thënë Kurti në Konferencën Ndërkombëtare të Rinisë për VETËVENDOSJE! “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy.
“Si qeveri jemi të fokusuar në ndërlidhjen e arsimit me punësimin në hendekun e shkathtësisë, kemi migrimin e të rinjve, lëvizshmëria e qytetarëve nuk është e dëmshme në Kosovë, kemi ikje por edhe kthim, shumë të reja dhe të rinj po punojnë në distancë për kompani evropiane nga Kosova”, u shpreh Kurti.
Por, sa ishte në opozitë Albin Kurti thoshte se nga Kosova nuk po ikin kriminelët, por njerëzit e ndershëm dhe prokurorët.
Kurti atë kohë pati përmendur rastin e ikjes së prokurorit Elez Blakaj, duke thënë se ai iku nga kryeministri dhe qeveria.
Numri një i VV-së shprehej se emigrimi që po ndodhte në Kosovë ishte për shkaqe të theksuara ekonomike.
“Njerëzit ikin nga ky shtet, sepse iku edhe prokurori, si puna e Elez Blakajt, nga kryeministri dhe qeveria. Kosova është një vend prej nga nuk po ikin kriminelët, por po ikin prokurorët. Edhe ish ambasadori amerikan Greg Delawie, më 15 gusht të vitit të kaluar pat thënë ‘kemi parë frikësim të hapur politik dhe institucional përmes kërcënimeve dhe sulmeve personale kundër një prokurori, sjellje që vetëm mbështesin pohimet e tij për kërcënime dhe presione politike si arsye për dorëheqjen e tij. Kjo krijon mjedis armiqësor për cilindo prokuror apo gjykatës të ardhshëm’. Për t’i kthyer njerëzit ne duhet ta kthejmë njëherë Elez Blakajn”, thoshte ai. /Demokracia.com/