Lajme
DOKUMENTE | Investimet e premtuara nga Greqia: Në Kosovë, grekët erdhën vetëm për të marrë tenderë milionësh
Demokracia
19:43 | 20 Qershor 2024

Share:

Në vitin 2022, kryeministri Albin Kurti deklaroi me entuziazëm se kishte takuar 30 investitorë potencialë në Greqi, ku kishte qëndruar disa ditë, të cilët shiheshin si mundësi për të sjellë kapital të ri në Kosovë. Megjithatë, dy vite më vonë, efektet konkrete të këtyre takimeve janë ende pa rezultate. Përkundrazi, situata aktuale tregon se vetëm disa kompani greke kanë përfituar nga tenderët milionësh të ofruar nga Kosova, duke ngritur pikëpyetje rreth suksesit të përpjekjeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, shkruan Demokracia.com.

Si rezultat i takimeve të parvjetshme të Kurtit, nuk është se ka pasur ndonjë investim konkret. Meqenëse kryeministri thoshte se këto takime nuk i bën as me “tupan” e as me “vuvuzela”, porse përpjekjet e tij ishin jopublike e që synonin të jepnin rezultat, duket se dështoi të bindte ndonjë investitor nga ato takime që të investonte në Kosovë.

“Kam takuar afër 30 biznesmenë të ndryshëm për çështjen e investimeve në Kosovë. Këta biznesmenë nuk kanë qenë të gjithë grekë, një pjesë kanë qenë evropianë e amerikanë të cilët janë në Greqi tashmë. Përpjekjet më të mëdha që i bëj dhe jopublike janë në fushën e investimeve të huaja. Pra, sa më shumë ta paraqes Kosovën si një vend atraktiv për investime, por këto takime në pjesën më të madhe të tyre nuk i bëj as me ‘tupan’, as me ‘vuvuzela’ për shkak se është e dëmshme”, deklaronte Kurti.

Demokracia.com deri më tani ka arritur të identifikojë vetëm dy “investitorë” potencialë, veçse ndryshe prej natyrës së investimeve të huaja, këto kompani po korrin fryte nga buxheti i Kosovës.

TUV HELLAS (TUVNORD) SA” dhe kompania “ERGOTEM SA” janë kompanitë greke që janë futur në tregun e tenderëve të Kosovës, pas vizitës së Kurtit në Greqi. Të dyja në tregun energjetik, konkretisht në Korporatën Energjetike të Kosovës – KEK.

“ERGOTEM SA”, është rekomanduar sot për kontratë nga KEK-u për tenderin “Ndërrimi i porteve dhe ndërrimi i përsëritshëm i degëve të kanaleve CFRG PA në kaldajën B1 dhe B2”, në një vlerë prej 2,079,606.75 euro, përcjell Demokracia.com.

Kompania nga Greqia “ERGOTEM SA” e ka regjistruar degën e saj në Kosovë më 6 korrik 2023, me emrin “ERGOTEM PUBLIC LIMITED TECHNICAL COMMERCIAL AND INDUSTRIAL COMPANY Branch in Kosovo”. Person i autorizuar është Lulzim Beqiri, ndërsa drejtor menaxhues, i cili është edhe pronar, Nikolaos Kalaitzis.

Deri sa kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ende nuk ishte burgosur nën dyshimin për korrupsion, kompania “ERGOTEM SA” nga Greqia lidhi kontratë për herë të parë në prill të vitit 2023 me KEK-un.

Kontrata quhej: “Pllakat rrëshqitëse në PF – Kanalet e mullinjve të thëngjillit”. Tenderi ishte realizuar me procedurë të hapur dhe kishte vlerën 1,621,544.20 euro (mbi një milion e gjashtëqind mijë euro).

Për punët e njëjta, që sipas KEK dolën në këtë kontratë, kompanisë së njëtë i janë dhënë edhe mjete shtesë, duke u lidhur një tjetër kontratë me negocim në vlerë prej 52,312.94 eurosh. (Mbi pesëdhjetë e dy mijë euro).

Kompania tjetër greke “TUV HELLAS (TUVNORD) SA”, në mars 2023 kishte lidhur një kontratë me negocim me KEK-un në vlerë prej 628,425.00 eurosh (mbi gjashtëqind e dy mijë euro). Kontrata quhet “Mbikëqyrja e shërbimeve për mbikëqyrjen e implementimit të projekt dizajnit, furnizimit dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e kaldajave”.

Në përpjekje për të sjellë investitorë potencialë dhe njohjen nga Greqia, Kurti ka qëndruar disa herë atje prej që e ka marrë pushtetin, por deri më tani nuk ka pasur asnjë sukses. /Demokracia.com/

Të ngjashme