Lajme
“Presidenti i përcakton objektivat e politikës së jashtme” | Osmani këmbëngulë se Kurti nuk po e respekton Kushtetutën
Demokracia
09:08 | 08 Qershor 2024

Share:

“Përcaktimi i objektivave të jashtme bëhet nga kreu i shtetit, pra kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtoj. Por mendoj që është më rëndësi që çdo propozim të analizohet në kontekst të interesave të Kosovës në qoftë se e vlerësoj që e ndihmojnë Republikën e Kosovës nuk ka arsye të mos e përkrahim”.

Kjo është deklarata e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e bërë më 7 qershor 2024, me anë të së cilës për herë të dytë brenda pak ditësh ka vënë në pah qëndrimin e saj kundërshtues ndaj rrugës që po ndjekë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në çështje të politikës së jashtme.

Reagimi i presidentes Osmani vinte pas pyetjes së gazetarëve për idenë e kryeministrit Albin Kurti, që draftin që e kanë propozuar emisari i BE-së Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesit e presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe kryeministres Meloni, të dërgohet në Komisionin e Venecias për shqyrtim.

Ky reagim i presidentes Osmani vë në dukje dy çështje serioze që përfshijnë moskoordinimin e tyre në çështje serioze shtetërore dhe në anën tjetër shpreh dyshimet e të parës së shtetit për vijën jokushtetuese që po ndjekë kryeministri Kurti.

Krizë shtetërore | Osmani konfirmon se s’ka koordinim me Kurtin: Nuk më është prezantuar ende ideja që Lajçak ta çojë në Venecia statutin e Zajednicës

Me anë të reagimit të saj, presidentja Osmani po vazhdon të shpreh dyshimet e saj për rrugën e ndjekur nga kryeministri Kurti, siç është propozimi i tij i fundit që “BE t’i drejtohet Komisionit të Venecias”.

Një rrugë e tillë sipas Osmanit hyn në fushën e detyrave të saj, të cilat duhet të përcaktohen nga presidenti dhe jo nga kryeministri.

Kjo është hera e dytë që Osmani ngre dyshime të mëdha në publik nëse po respektohet Kushtetuta nga Qeveria Kurti.

Më 29 maj 2024, me tone mjaft të ashpra kishte reaguar Osmani, duke shprehur hapur pakënaqësinë e saj pasi shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla – Shwarz, më 16 maj 2024 “i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë së Këshillit të Evropës” më mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“…është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që Qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas Kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës”, kishte deklaruar Osmani.

Veprimet e koordinuara ndërmjet Kurtit dhe Gërvallës zhvlerësuan krejtësisht rolin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në politikën e jashtme të përcaktuar qartë me Kushtetutën e Kosovës. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Skandali shtetëror | Si u shkelë Kushtetuta e Kosovës ende pa u zgjuar mirë nga gjumi?

Të ngjashme