Lajme
DOKUMENT | Arben Vitia e merr “botën”, shpenzon afro 30 mijë euro në bileta avioni
Demokracia
08:35 | 04 Qershor 2024

Share:

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një tender për “Shërbime të transportit ajror”, vlera e të cilit kap shumën e 28 mijë e 80 eurove.

Ministria që drejton nuk ka shumë lidhje me udhëtime e punë jashtë Kosovës, por Arben Vitia duket se i ka “disa punë” edhe jashtë shtetit.

Të paktën kështu duket kur shihet tenderi që është dhënë për bileta avioni, që kap vlerën e afro 30 mijë eurove.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje se në cilat shtete do të udhëtohet me këto bileta, shkruan Demokracia.com.

“Shërbime të transportit ajror. Data e dhënies së kontratës 28.05.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 1. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “As travel club”. Vlera e përgjithshme e kontratës 28,000.80 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje tregohet se me këto para është paraparë të blihen 80 copë bileta, me një çmim të parashikuar prej 350 euro për secilën.

“Bileta Aeroplani 80 copë. Vlera e biletës prej € 350.00 është një vlerë e paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës. Çmimi real do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm ose sisteme online”.

Ministria e Arben Vitisë ka treguar edhe qëllimin e këtij tenderi.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një operator ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga MSh. Numri i përafërt i biletave do të jetë 80 në destinacione të ndryshme të botës”.

Po ashtu, thuhet se ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje të sigurojë shërbimet e lartpërmendura, duke përfshirë ofrimin e aviobiletave gjatë orarit të punës (E hënë deri të premten 08:00-16:00). Gjithashtu, duhet të ofrojë shërbime jashtë orëve normale të punës, si dhe gjatë fundjavave dhe festave.

“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, e-mailat dhe numrin e telefonit, kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme)”.

Në fund thuhet se “rezervimet duhet të bëhen kryesisht në klasë ekonomike, gjithmonë me qëllim që të kemi koston më efektive dhe të përshtatshme dhe me çmimin më të mirë në dispozicion në treg”. /Demokracia.com/

Të ngjashme