Lajme
DOKUMENT | Pacolli e kishte rinovuar kabinetin me paratë e tij në 2018, Gërvalla në fund të mandatit e rimodelon me paratë e ministrisë
Demokracia
18:26 | 29 Maj 2024

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, në fund të mandatit të saj ka vendosur që ta riorganizojë ministrinë. Në aspektin infrastrukturor, të paktën. Objektin që ishte rinovuar nga ish-ministri Behgjet Pacolli me paratë e tij, ka vendosur që pjesërisht ta rinovojë dhe tërësisht ta fasadojë. Kjo po bëhet me para të MPJD-së, në një shumë aspak të vogël, shkruan Demokracia.com.

MPJD-ja ka nisur punët në javën e kaluar, pasi e nënshkroi kontratën me grupin e kompanive MBB Construction SH.P.K.; N.T.SH. QAMILI, në një vlerë hiç më pak se 358,588.40 euro. Bëhet fjalë për fasadimin e objektit, rregullimin e një pjesë të oborrit dhe riorganizimin e hyrjes së ministrisë tek ndarja hyrëse protokollare.

Kontrata që ka nisur të zbatohet quhet: “Riorganizimi i hyrjes në MPJD, ndarja e hyrjes protokollare, rregullimi i paterit oborri dhe fasadimi i objektit”.

Pra, në veçanti do të preket edhe kati i IV ku është i vendosur kabineti i ministres Gërvalla, shkruan Demokracia.com.

Në vitin 2018, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri Behgjet Pacolli e kishte rinovuar në tërësi kabinetin bashkë me inventarin.

Kjo figuron edhe tek “Behgjet Pacolli” Foundation, me mjetet e të cilit është thënë se ishte rinovuar kabineti. /Demokracia.com/

Të ngjashme