Lajme
DOKUMENT | OSHP-ja i sanksionon disa kompani duke i futur në ‘listën e zezë’, por i mban fshehur vendimet
Demokracia
15:47 | 25 Maj 2024

Share:

Prokurimi publik paraqet një nga format kryesore të shpenzimit të parasë publike. Megjithatë, ka operatorë ekonomikë që nuk i respektojnë ligjet dhe rregullat, duke cenuar kështu integritetin e procesit të prokurimit publik. Një nga mjetet më efikase në parandalimin e keqpërdorimeve në prokurim publik është diskualifikimi i operatorëve të pandërgjegjshëm nga pjesëmarrja në këtë proces (me ç’rast operatorët ekonomikë përfshihen në Listën e Zezë), shkruan Demokracia.com.

Kompanitë futën në ‘listën e zezë’ nga Organi Shqyrtues i Prokurimit me propozim të institucioneve, por shpeshherë atyre nuk u aprovohen kërkesat.

Demokracia.com ka gjetur se OSHP-ja po i mban larg syve të publikut disa kompani që i ka futur në ‘listën e zeze’. Pra, të njëjtat nuk po i publikon në faqen e saj zyrtare, siç bënë zakonisht dhe sic është e obliguar me ligj.

Të fundit që janë futur në këtë listë më 28 shkurt 2024 janë kompanitë NTSH Creative Design, Asfalt Group SH.P.K, INFRA GROUP SHPK.

Dimë që Paneli OSHP-së ka futur në listën e zezë edhe disa kompani, por ato nuk figurojnë në faqen e OSHP-së. Cila është arsyeja që nuk po i bëni publike emrat e atyre kompanive?”. Kjo është pyetja që i është drejtuar OSHP-së nga Demokracia.com, por të cilën akoma nuk është përgjigjur “Gjykata e tenderëve”.

Mësohet sd bëhet fjalë për disa kompani që janë sanksionuar, por të njëjtat nuk janë publikuar.

Demokracia.com posedon të paktën një sanksionim që ka bërë OSHP ndaj një kompanie, duke e futur në këtë listë për fiks një vit. E njëjta nuk gjendet në faqen e tyre. Bëhet fjalë për kompaninë “Pharma Leader” LLC, e cila nuk mund të marrë pjesë në prokurimet publike nga data 05.04.2024 deri më 04.04. 2025.

Çudia më e madhe është se Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë ka bërë kërkesë në OSHP që kjo kompani të  futet në ‘listën e zezë’ për shkak të dyshimeve për manipulim në dokumente qysh më datë 26.06.2023. Pra, janë dashur dhjetë muaj që kërkesa e tyre të trajtohet, e cila më pas është aprovuar.

Aktualisht në ‘lisën e zezë’ figurojnë vetëm 9 kompani, shkruan Demokracia.com.

Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë parasheh masë ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomikë, të cilët paraqesin të dhëna të rreme ose falsifikojnë dokumente për aktivitetet e prokurimit. Në raste të tilla, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OShP), ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të diskualifikojë operatorët ekonomikë nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një vit.

Diskualifikimi nga pjesëmarrja në prokurim publik, përveç si masë ndëshkuese, shërben edhe si formë e parandalimit të praktikave mashtruese, për faktin se operatorët ekonomikë rrezikojnë të humbasin të hyra financiare dhe dëmtim të reputacionit nëse përfundojnë në këtë listë. Diskualifikimi bëhet nga vetë OShP, pa pasur nevojë që pretendimet e ngritura nga autoritetet kontraktuese të vërtetohen nga gjykata. Vendimet e OShP-së për diskualifikimin e operatorëve ekonomikë janë publike dhe gjenden në ueb faqen zyrtare të saj. Të gjitha vendimet për diskualifikim, të cilat mund të jenë aprovuese ose refuzuese ndaj kërkesave të autoriteteve kontraktuese për përfshirje të operatorëve ekonomikë në Listën e Zezë, publikohen së bashku me arsyetimin dhe kohëzgjatjen eventuale të diskualifikimit. Në ueb faqen e këtij organi po ashtu gjendet edhe lista e arkivuar e operatorëve ekonomikë, të cilët në të kaluarën kanë qenë të diskualifikuar nga aktivitetet e prokurimit publik. Megjithatë, OShP nuk ka të drejtë të diskualifikojë operatorët ekonomikë sipas detyrës zyrtare, edhe në rastet kur evidenton se ka dëshmi në bazë të të cilave do të duhej diskualifikuar, në qoftë se nuk ka pasur një kërkesë për diskualifikim nga ana e autoritetit kontraktues. /Demokracia.com/

Të ngjashme