Intervista
Opozitari rus Kasparov zbuloi nëse ka frikë për jetën e tij: Është nder që Kremlini më quan terrorist
Demokracia
10:28 | 13 Maj 2024

Share:

Mjeshtri i shahut dhe opozitari rus, Garry Kasparov foli për situatën aktuale gjeopolitike dhe iu referua faktit që ai u shpall terrorist në Rusi.

Në një intervistë me Onet të Polonisë, Kasparov komentoi vendimin e Kremlinit për ta përfshirë atë në listën e terroristëve.

“Nuk e njoh vendimin e regjimit. Unë besoj se regjimi rus është i paligjshëm dhe kriminal. Të më quash terrorist? Është një nder për mua dhe sipas ligjit të Putinit duhet të jem terrorist sepse dua një Rusi të lirë. Putini është armiku jo vetëm i Ukrainës, por edhe i botës së lirë dhe vetë Rusisë. Si çdo diktator, ai lufton kundër luftëtarëve të lirisë. Emri im që shfaqet në këtë listë është një njohje se po bëj diçka shumë të rëndësishme”- tha Kasparov.

Ai gjithashtu iu referua se në cilat pjesë të botës i lejohet të udhëtojë.

“Unë jetoj në Nju Jork pa mbrojtje. Nuk udhëtoj më aq shpesh. Ka pak vende ku ndihem i sigurt. Polonia është një prej tyre. Do të shkoj edhe në Rumani. Është gjithashtu një vend ku i besoj qeverisë që të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur njerëzit si unë. Jashtë Evropës, ata mund të ndihen të sigurt në Australi, Zelandën e Re, Japoni dhe ndoshta Korenë e Jugut. Edhe në Evropë ka vende që nuk do t’i vizitoja, siç është Hungaria” – tha ai.

Në fund të intervistës, Kasparov komentoi situatën në Ukrainë dhe tha se Polonia është në krye të vendeve që ndihmojnë Ukrainën, por kjo nuk mjafton.

“Problemi është se Polonia nuk është fuqia më e madhe në NATO. Duhet të shohim Uashingtonin, Berlinin dhe Parisin. Ka gjithnjë e më shumë dyshime. Fundi i luftës duhet të përfshijë rivendosjen e plotë të sovranitetit të Ukrainës në të gjitha territoret, duke përfshirë Krimenë, reparacionet dhe sjelljen e kriminelëve të luftës para drejtësisë. Për sa kohë që Evropa dhe Amerika pranojnë gjysmë masa, Polonia dhe fqinjët e saj do të duhet të kenë frikë për sigurinë e tyre” – përfundoi Kasparov.

Të ngjashme